Edhe këtë të shtunë kryebashkiaku Erion Veliaj hodhi akuza ndaj SPAK lidhur me hetimet që po kryen për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.

Në një reagim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se prokurorët e posaçëm kanë rrëmbyer telefonat e njerëzve që ai njeh prej 20 vitesh. Ai përmend edhe një fakt të evidentuar në dosjen penale ndaj tij, lidhur me takimet që ka zhvilluar me dy arkitektë të huaj.

“Telefon pas telefoni dhe gjurmim pas gjurmimi, Ols Dado më akuzon se kam takuar dy agjentë të huaj, Jesus Hernandez dhe Marco Casamonti, në fakt dy arkitektë me reputacion ndërkombëtar, që Nesti Kafka duhet ta kishte për nder t’u jepte dorën. Dhe sipas Kafkës tim, i paskam takuar për “punë sponsorizimesh”, se taktika e tij është “kap thërrime dhe hiqu si dyqan buke”. Po more, i kam takuar të dy star-arkitektët, me kënaqësi të madhe madje – por, jo për t’ju dhënë ndonjë favor të pamerituar që t’ju marr ndonjë favor personal mbrapsht, po për t’ju dhënë respekt e për t’ju marrë kontribut FALAS për Tiranën”, shkruan Erion Veliaj.

Sipas Veliajt, falë bashkëpunimit që ka patur me arkitektët e huaj, sot Tirana ka disa nga projektet më të bukura.

“Jesus Hernandez ka projektuar muzeun “Marubi” në Shkodër, një kryevepër. Po ashtu sheshin e Shirokës, qilimin e gurtë që mori çmim ndërkombëtar. Pasi shpronësuam “Sarajet”, mes betejash e netësh për ta mbrojtur monumentin e kulturës nga pronarë që donin ta digjnin, i kam kërkuar si “sponsorizim” një koncept-ide se si mund ta kthenim atë godinë në një Muze Etnografik të Tiranës. Njësoj veprova edhe me Elisabetta Terragni-n, ku pas “Shtëpisë së Gjetheve” – një tjetër sukses – i kërkova të “sponsorizonte” me projekt-ide “Shtëpinë Kadare – Agolli”, të cilat sot kanë dalë si xhevahire te Pallati i Maks Velos. Marco Casamonti-t, projektuesit të stadiumit “Arena Kombëtare”, i kam kërkuar të “sponsorizojë” një pavion për Tiranën në Bienalen e Venecias për arkitekturë. Pra, jo para jo, po kontribute me projekt-ide, pa pagesë nga ana e buxhetit të bashkisë”, shkruan Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj gjithashtu renditi sponsorizimet që Bashkia e Tiranës ka përfituar gjatë 10 viteve të drejtimit të tij. Veliaj shkruan se ka refuzuar ti besojë shprehjes se kush punon në këtë vend e pëson, teksa shkruan se kurrë nuk do ta pranojë që të kërkuarit për qytetin e jo për vete është korrupsion.

Klan News