Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, Muqbel Barghouti, vëllai i liderit të njohur palestinez Marwan Barghouti, shpreh shqetësimin e tij për gjendjen e rënduar fizike dhe psikologjike të të vëllait, i cili prej më shumë se dy dekadash ndodhet në burgjet izraelite.

Duke folur nga fshati Kobar në Bregun Perëndimor, ai rrëfen historinë personale dhe politike të vëllait, që nga fëmijëria e formuar në frymën e rezistencës, deri te roli i tij udhëheqës brenda shoqërisë palestineze.

Ndërsa përshkruan rrahjet e përsëritura në burg dhe kushtet çnjerëzore të izolimit, Muqbel bën thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare dhe shprehet se Marwan është sot jo vetëm një simbol i qëndresës, por edhe shpresa më e madhe për një të ardhme politike me paqe dhe drejtësi për popullin palestinez (Lexo më shumë për Marwan Barghouti-n).

“Vëllai im Marwan është si populli palestinez, nuk thyhet nga dhuna. Por në burg mund ta vrasin, jemi shumë të shqetësuar,” thotë Muqbel Barghouti, 59 vjeç, vëllai i vogël i liderit më të njohur palestinez.

Në shtëpinë e tij në Kobar, një fshat në veri të Ramallahut, nuk mungojnë kurrë cigaret, lëngu i shegës dhe ankthi për shëndetin e Marwan-it. Ky i fundit, 66 vjeç, është në burg që nga viti 2002, duke vuajtur pesë dënime me burgim të përjetshëm. Për autoritetet izraelite ai është një terrorist, i dënuar si organizator i pesë vrasjeve nga brigadat e armatosura të Fetahut. Familja Barghouti-t e konsideron procesin si politik dhe pa prova.

Pesë të burgosur palestinezë të liruar gjatë shkëmbimit me pengjet treguan se në mes të shtatorit vëllai juaj është sulmuar nga tetë roje burgu. Qeveria izraelite e mohon këtë. Çfarë dini ju?

“Nuk është hera e parë që e rrahin. Gjatë izolimit, që ka nisur me fillimin e luftës në Gaza, kjo ka ndodhur edhe tre herë të tjera. I thyejnë brinjët një burri 66-vjeçar, që për më tepër është edhe anëtar i parlamentit palestinez. Ku është zemërimi i parlamenteve të botës? Pse deputetët e Perëndimit nuk ndërmarrin një fushatë në mbrojtje të të burgosurve palestinezë? Që pas 7 Tetorit, janë vrarë tashmë 77 të burgosur në burgjet e shtetit hebre”.

Keni frikë se mund ta vrasin?

“Shpresoj që jo, por gjatë gjithë këtij pushtimi sionist kam parë të ndodhin të gjitha të këqijat. I bëjmë thirrje botës së lirë të shpëtojë Marwan Barghouti-n”.

Çfarë do të ndodhte nëse ai do të vdiste në një burg izraelit?

“Nuk dua as ta imagjinoj”.

Kur e keni parë për herë të fundit?

“Para luftës, në burgun e Hadarimit, ishte mirë”.

Për çfarë folët?

“Për politikë, sigurisht… ishte optimist për Palestinën dhe po ndiqte me interes atë që po ndodhte atëherë në Izrael, sidomos protestat e mëdha kundër reformës gjyqësore të Netanyahu-t. Vëllai im flet hebraisht, e mësoi në qeli, për të kuptuar mediat izraelite. Më kujtoi kur ishte pjesë e delegacionit të parë palestinez që vizitoi Knessetin, në vitin 1997”.

Kur filloi vëllai juaj të interesohej për politikë?

“Në vitet ’60, Kobar ishte një bastion i komunistëve palestinezë. Kishte një treg të vogël në qendër ku çdo mbrëmje njerëzit mblidheshin për të folur për politikë dhe rezistencë. Dhe për shkak se nuk kishim televizor, Marwani adoleshent kalonte mbrëmjet atje, duke dëgjuar të rriturit. Në moshën 13-vjeçare kishte tashmë një opinion, vëllai im gjithmonë ka pasur një opinion”.

Nga vjen ky pasion i tij?

“Sepse ai e do popullin tonë dhe tokën tonë. Në moshën 14-vjeçare, në shkollën e tij në Birzeit, iu besua roli i drejtuesit të ceremonisë kur vdiq presidenti egjiptian Nasser. Nuk ishte diçka e vogël”.

Jeni rritur bashkë. Kur ishte momenti që Marwan vendosi t’i përkushtohej çështjes palestineze?

“Kur na vranë qenin. Jetonte në shtëpinë tonë. E donim shumë, na jepte ndjenjë sigurie, ishte miku ynë. Në vitin 1969, gjatë një patrullimi, ushtarët izraelitë e qëlluan. Ai incident ishte pika që ndezi tek Marwan-i, atëherë vetëm 10 vjeç, ndjesinë e padrejtësisë, shtypjes dhe qëndresës. Ata kishin vrarë dikë që ne e donim, pa asnjë arsye. Pastaj erdhi një tjetër moment vendimtar”.

Cili?

“Më 30 mars 1976, gjatë protestës së parë të palestinezëve, nga Galilea në Negev, e njohur si ‘Dita e Tokës’. Gjashtë protestues u vranë. Marwan ishte lideri i studentëve në Birzeit, u arrestua dhe u dërgua në Muqata’a, atëherë një bazë e ushtrisë izraelite në Ramallah. Nuk ishte ende 17 vjeç, u mbajt dy ditë. Ishte arrestimi i tij i parë. Dy vite më vonë u burgos në Tulkarem, me një dënim prej katër vitesh e gjysmë”.

Nëse do të lirohej, do t’i  fitonte zgjedhjet presidenciale?

“I fiton edhe nga burgu, sondazhet i japin 60-70% mbështetje”.

Pse është kaq i dashur për popullin?

“Vjen nga një familje e thjeshtë, babai ynë ishte murator. Dhe ai ka mbetur një njeri i thjeshtë, bujar. Është një lider i lindur”.

Në gusht u publikua një video e ministrit Ben-Gvir që shkonte në burg për t’i thënë se palestinezët nuk do të fitonin kurrë.

“Takimi zgjati 12 minuta, por publikuan vetëm 30 sekonda. U ndjeva i zemëruar. Nëse ka një njeri që duhet të jetë në burg, ai është Ben-Gvir”.

E prisnit ta shihnit vëllain tuaj në një gjendje kaq të rëndë fizike?

“Janë efektet e dy viteve izolim. Por të mos mashtrohen: Marwan nuk thyhet”.

A mendonit se do të lirohej gjatë shkëmbimit të fundit të pengjeve të gjalla të Hamasit?

“Këtë herë, familja jonë e besonte vërtet. Por e djathta ekstreme që qeveris Izraelin nuk e do paqen dhe për këtë arsye nuk e do Marwan-in të lirë. Kanë frikë nga simbolet, dhe vëllai im quhet ‘Mandela i Palestinës’. E kupton vetë ju…”.

Si lindi ky pseudonim?

“Sepse Marwan ishte adhurues i Mandelës, njihte gjithçka për jetën e tij. Dhe sepse, si ai, është një njeri që lufton për paqen”.

Për çfarë paqeje?

“Për atë që do të sjellë zgjidhjen e dy shteteve dhe dy popujve”.

A është e vërtetë që edhe Abu Mazen është kundër lirimit të Barghouti-t nga frika e popullaritetit të tij?

“Do t’ju përgjigjem kështu: Abu Mazen mund të kishte bërë shumë më tepër për lirimin e tij, por nuk bëri shumë”.

Intervistë e La Repubblica