Moti i keq ka përfshirë të gjithë vendin këtë të premte.

Reshjet e shiut të nisura në orët e para të mëngjesit kanë sjellë problematikat e para në disa zona të Durrësit.

Situata më e vështirë paraqitet në lagjen nr. 1, në aksin që lidh shëtitoren Taulantia me zonën e Currilave. 

Në këtë zonë ka prezencë të konsiderueshme uji në rrugë dhe mbi trotuare.

Problematika janë konstatuar edhe në disa kryqëzime pranë stadiumit, “Niko Dovana” në lagjen nr 18, ku grumbullimi i ujit vështirëson qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.

Ndërsa në Lezhë, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme me furnizimin me energji.

Si pasojë e avarive në rrjetin elektrik, 4 fidera janë stakuar, duke lënë pa energji disa fshatra, ndërsa raportohen edhe dëmtime të pajisjeve elektroshtepiake për shkak të problemeve me tensionin.

Situata paraqitet veçanërisht problematike në Ishull Lezhë, ku rreth 80% e zonës raportohet të jetë pa energji elektrike. Po ashtu probleme ka edhe në Zejmen, Tale, Kallmet, Rraboshtë dhe zona të tjera përreth.

/tvklan.al