Emocione, zëra të veçantë, histori që prekin zemrën dhe ëndrra që kërkojnë vetëm një mundësi për t’u bërë realitet!

Nata e tretë dhe finale e audicioneve të X Factor Albania, në Tv Klan, shënoi fundin e fazës së parë të këtij rrugëtimi muzikor, por për shumë prej konkurrentëve ishte pikërisht fillimi i një historie të re.

Moderatorja Alketa Vejsiu, e pranishme në prapaskenë, aty ku emocionet janë po aq të forta sa në skenë, ndau disa mesazhe të veçanta për konkurrentët dhe familjarët e tyre, të cilët i përjetojnë këto momente me zemër të plotë.

“Jam shumë e gëzuar për të gjithë ata të rinj të talentuar, guximtarë dhe sypatrembur, të cilët vijnë këtu për të luftuar me veten e tyre në fakt, se është një luftë me emocionet dhe me mendimet e tua, me ambiciet dhe ëndrrat e tua ky moment”, u shpreh Vejsiu.

Por mesazhi i saj shkoi edhe përtej verdikteve të jurisë dhe fatit të secilit në garë. Moderatorja theksoi se fitorja nuk matet vetëm me një përgjigje pozitive, pasi vetë guximi për të dalë përpara publikut dhe për të ndjekur ëndrrën është një arritje më vete.

“Dhe ata që e ndërpresin rrugën sonte do të jenë shumë krenarë për veten e tyre që kanë ardhur dhe kanë bërë atë që shumë njerëz nuk e bëjnë, se frika jua bllokon kordat dhe ju heq zërin. Dhe një nga leksionet më të rëndësishme të X Factor, këtij formati për talentet, është që t’i japësh zë ëndrrës dhe të shkosh drejt mundësisë”, tha ajo.

E veçanta e këtij edicioni është se ëndrrat nuk kanë një kufi moshe.

Nga të rinjtë që kërkojnë të bëjnë hapin e parë në muzikë, te konkurrentët mbi 40 vjeç e deri te një 73-vjeçar që do të ngjitet në skenë, X Factor dëshmon se pasioni nuk njeh vite dhe talenti nuk ka një afat të përcaktuar për t’u zbuluar.

“Dhe më e bukura dhe më prekësja janë ata që janë mbi 40 vjeç, apo një 73-vjeçar që do të kemi sot në garë; njerëz të cilët mendojnë gjënë më të bukur: që për ëndrrat nuk ka datë skadence, për ëndrrat nuk ka afat”, u shpreh Vejsiu.

/tvklan.al