U mbajt sonte më 13 nëntor nata e dytë e audicioneve të X Factor Albania në Tv Klan, ku shpalosën një sërë performancash të zërave të rinj të muzikës shqiptare.
Në hapje të spektaklit, prezantuesja Alketa Vejsiu dha një mesazh të veçantë. Ajo theksoi se pas çdo artisti që ngjitet në skenë qëndron një punë e madhe e produksionit, i cili nuk mjaftohet vetëm me aplikimet, por shkon vetë në kërkim të talenteve, që mund të kenë një potencial të jashtëzakonshëm.
Vejsiu vlerësoi veçanërisht rolin e producentes Vera Grabocka, e cila me përvojën dhe intuitën e saj artistike udhëheq këtë proces, duke kërkuar talentin, edhe tek ata që nuk kanë guxuar ende të hedhin hapin e parë.
“Dikush, edhe pse ka ëndrra të mëdha, ka mundësi tejet të vogla. Dikush mund ta ketë rrugën fare të shkurtër, por i duket e pamundur të dalë përpara jurisë. Ka ndrojtje dhe mendon gabimisht se të gjithë të tjerët duhet të jenë më të mirë se ai”, u shpreh Alketa Vejsiu.
Për të ilustruar se sa shumë mund të ndryshojë jeta e një artisti nga një mundësi e vetme, ajo solli në vëmendje historitë e Rihanna-s dhe Justin Bieber, të cilët u zbuluan falë njerëzve që dalluan talentin e tyre në fillimet e karrierës.
Sipas Alketa Vejsiut, pikërisht këtë synon të bëjë edhe X Factor Albania: të kërkojë talentin, t’i japë hapësirë dhe ta vlerësojë me ndershmëri, duke u dhënë të rinjve një arsye më shumë për të besuar te vetja dhe ëndrrat e tyre.
Më pas, prezantoi katër anëtarët e jurisë që do të kenë në dorë vlerësimin e konkurrentëve gjatë kësaj nate. Në tryezën e jurisë rikthehet kompozitori dhe kantautori Pirro Çako, fituesi në fuqi i X Factor pas triumfit të Eden Danit.
Pjesë e panelit është edhe modelja dhe këngëtarja Oriola Marashi, e cila rikthehet pas eksperiencës në X Factor Kids, ndërsa nga Italia vjen e ftuara speciale Cesilia Canale. Një rikthim të veçantë në mbrëmjen e sotme shënon edhe Sheila Haxhiraj, fituesja e parë e X Factor Albania, e cila këtë herë do të jetë në anën tjetër, duke vlerësuar talentet e reja.
Katër artistët do të dëgjojnë me kujdes konkurrentët e natës së dytë, ndërsa për pjesëmarrësit kjo është mundësia për të dëshmuar se pas ëndrrave të mëdha fshihet edhe talenti, puna dhe guximi për të dalë në skenë.
/tvklan.al












Botërori 2026 