Pritet gjithnjë që skuadrat e mëdha ta nisin me vrull kampionatin, por sezoni i sivjetshëm po tregon që disa prej tyre po hasin vështirësi. Krizën më të madhe të rezultateve po e përjeton Real Madrid që pas largimit të Ronaldos duket se nuk po gjen ekuilibrin e mëparshëm.

Dy humbje radhazi, një në Champions dhe një në kampionat, për më tepër pa shënuar asnjë gol, tregon mungesë qetësie jo vetëm në stol, por edhe mes lojtarëve. Pankina më së shumti është e shqetësuar. Lopetegui la në mënyrë të shëmtuar kombëtaren për realin dhe tashmë nuk po justifikon besimin e presidencës, por as pritshmëritë e tij personale.

Dy humbje radhazi ka edhe Bayern Mynchen. Jemi mësuar që bavarezët t’i shohim të shkëputur që në fillim të sezonit dhe ta mbyllin çështjen e titullit disa javë para përfundimit të kampionatit, por duket se ky sezon po nxjerr në pah nevojën për rinovim mes lojtarëve, ose ndoshta trajneri i ri nuk po transmeton energjitë e duhura.

Në pozita të vështira është edhe Jose Mourinho, i cili fitoi një ditë më parë, por ende skuadra e tij nuk bind. Ndaj Newcastle ishte një provë force karakteri, por përpara janë dy sfidat me Juventusin për Champions dhe kjo është një valle që duhet hequr ndryshe. Nga djajtë e kuq pritet të jenë në maksimum si në Premier League ashtu edhe në Europë.

Tv Klan