Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Vinçesk Pirolin sot më 19 nëntor, një prej tre personave të arrestuar në tetor të këtij viti, pasi dyshohej se po përgatisnin një atentat në zonën e Lezhës. Pas vetëm 38 ditësh në paraburgim, 38-vjeçari ka lënë qelinë dhe do të qëndrojë në “arrest shtëpie”, pas vendimit të marrë nga Apeli.
Piroli u arrestua më 11 tetor, së bashku me Kristian Ymerin, 34 vjeç, dhe Elden Tarjan, 25 vjeç, në kuadër të operacionit policor “Detajet”, raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci.
Ndërhyrja e policisë u bë pas informacioneve për një vrasje që dyshohej se po planifikohej në zonën e Lezhës. Sipas të dhënave hetimore, në aksin e vjetër Pllanë-Lezhë ishin konstatuar dy persona të armatosur dhe të pajisur me skafandra, të cilët lëviznin me motomjet.
Nga hetimet dyshohet se dy prej të arrestuarve kishin për detyrë të kryenin ekzekutimin, ndërsa personi i tretë do t’i ndihmonte të largoheshin nga vendi i ngjarjes me automjet.
Policia ndërhyri përpara se plani të vihej në zbatim, duke arrestuar të tre personat dhe duke mbledhur prova, që lidhen me hetimin. Me vendimin e fundit të Apelit, Piroli do të qëndrojë në “arrest shtëpie”.
Vinçesk Piroli ka qenë edhe objektiv në atentat, pasi në janar 2022 ai u plagos në Shkodër. Për atentatin ndaj tij, policia në atë kohë vuri në pranga 23-vjeçarin Arjon Beqiri.












Botërori 2026 
