Dyshohet si autor i një vrasje në Malin e Zi në 2021

Ky është moment kur i riu Mark Nika nën shoqërinë e policisë ka shkuar në afërsi të Urës së Bunës në Shkodër për t’u treguar forcave të rendit ku u plagos pasditen e së hënës kushëriri i tij Vinçens Piroli.

Ngjarja mbetet e rrethuar nga misteri pasi Nika dhe 34-vjeçari që po mbahet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e traumës në Tiranë kanë dhënë versione të ndryshme për ngjarjen.

Mëngjesin e së martës Pirolit i është komunikuar në spital masa e arrestit pasi rezulton në kërkim ndërkombëtar. Ai dyshohet se më 4 korrik të 2021, së bashku me Dorian Lalën kanë ekzekutuar në Ulqin shtetasin malazes Momçillo Gjurishiç.

Për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore Piroli nuk ka folur ende për policinë. Ai ka pasur vetëm një komunikim me mjekët e Lezhës, të cilëve iu ka thënë se ishte duke lëvizur në këmbë në afërsi të urës së Bunës, kur dikush është afruar dhe e ka qëlluar pas shpine me një pistoletë me silenciator.

Ka treguar gjithashtu, se nga frika se atentatorët po e ndiqnin, nuk ka pranuar të shkojë për ndihmë në spitalin e Shkodrës, por ka zgjedhur të marrë mjekimin në spitalin rajonal të Lezhës. Policia ka kryer kontrolle në zonën e Urës së Bunës, por nuk ka gjetur asnjë gjurmë të ngjarjes.

Edhe kushëriri i tij, Mark Nika ka dhënë versione të ndryshme ndaj po mbahet i ndaluar nga policia. Nika tha se Piroli zbriti nga makina për të takuar një person dhe u kthye i plagosur. Një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e hakmarrjes, pasi policia dyshon se plagosja e Pirolit mund të ketë lidhje me vrasjen e malazezit Gjurishiç.

Tv Klan

/tvklan.al