Mazhoranca dhe opozita vijuan diskutimet për reformën territoriale edhe sot në 12 maj. Këtë herë, përfaqësuesit e secilës palë u ndalën në Fier për konsultim publik.

I pari që mori fjalën ishte kryetari socialist i Reformës Territoriale, Arbian Mazniku.

Deklaroi se në fokus të reformës territoriale duhet që të jetë ndërlidhja mes qytetarit dhe bashkisë. Ai u shpreh se reforma territoriale duhet të përshtatet me të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

“Kjo reformë prek jetën e njerëzve. Ne në vitin 2014 kemi bërë një reformë të jashtëzakonshme. Ne krijuam 61 bashki, duke rritur ekonominë e vendit, i dhamë zhvillim tërësor territorit, bëmë që bashkitë të kenë më pak borxhe dhe kemi ofruar shumë shërbime. Kemi lëvizje të njerëzve nga zonat periferike drejt qyteteve. INSTAT na tregon se qytetet e mëdha përbëjnë 70 përqind të popullsisë. Më 2027, qeveria shqiptare do mbyllë negociatat me BE-në dhe më 2029, Shqipëria, nëse gjërat shkojnë siç duhet, do jetë në BE.

Më e rëndësishmja është sesi do jenë të gatshme bashkitë, që të marrin financimet nga Bashkimi Europian dhe t’i zbatojnë siç duhet. Këto janë temat që duhet të diskutojmë në këtë dëgjesë. Duhet të mendojmë që qytetarët të kenë një derë të hapur në jetën e tyre, për të marrë shërbimet, që kanë nevojë”, tha Mazniku.

Më pas, mori fjalën ishte bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale nga PD, Luçiano Boçi.

Ai tha se reforma territoriale e kryer më 2014 ishte e dështuar. Boçi theksoi se duhet që të ketë reformë territoriale, që iu shërben qytetarëve dhe nuk i largon ata nga vendi.

“Reforma territoriale e vitit 2014 ishte e dështuar. Kjo shihet qartë. Sot ishte një raportim, që lindshmëria është ulur tej mase. Kjo vjen edhe për shkak të ndarjes territoriale. Kjo sepse zonat rurale janë duke u boshatisur. Qytetarët duan që të riformatojnë territorin. Ka tension në territor, sepse janë hedhur ide, që bllokojnë shumë zhvillime.

Bashkitë e mëdha janë rritur, por se kanë humbur qytetarin dhe kanë sfumuar demokracinë vendore. Pushteti lokal nuk është një magazinë votash për pushtetin qendror. Pushteti qendror ka ndërhyrë tek pushteti vendor, kur absolutisht nuk duhet që të ndodhë. Qytetarët duhet të kenë një pushtet lokal, që iu shërben atyre, të jetojnë aty dhe të mos largohen”, tha Boçi.

Një nga qytetarët deklaroi se fshatrat janë boshatisur. Ai tha se ka përvojë nga pushteti vendor, duke u shprehur se shërbimet duhet që të shkojnë sa më pranë njerëzve.

“Unë reformën territoriale e konsideroj të dështuar. Kjo sepse prsh Bashkia Fier nuk mund të mbulojë të gjitha fshatrat. Shërbimet duhet të shtrihen kudo, që të ketë shërbime dhe personat që jetojnë në periferitë e Republikës. Jemi bërë shërbëtorë të gjermanit dhe të grekut. Duhet që shërbimet nga pushteti lokal të jenë pranë qytetarëve se po na ikin të gjithë nga fshatrat. Vetëm kështu njerëzit do jenë më të vlerësuar dhe sigurisht, më të pasur”, u shpreh qytetari.   

/tvklan.al