Java e Superiores ka sjellë dy sfida me histori të ndryshme. Në Shkodër, Vllaznia ka ndalur marshimin e Tiranës, duke triumfuar 2-0 në “Loro Boriçi”, ndërsa në Durrës, Teuta dhe Elbasani kanë zhvilluar një përballje të luftuar, por të mbyllur, ku mungesa e golave vulosi ndarjen e pikëve.

Në Shkodër, skuadra e drejtuar nga Laszlo u rikthye te fitorja, duke konfirmuar edhe një herë forcën në shtëpi, ashtu siç kishte bërë edhe ndaj Dinamos. Goli me thembër i Edon Muratajt në pjesën e parë i dha avantazhin kuqebluve, ndërsa Adnard Mehmei vulosi suksesin me golin e dytë në fraksionin e dytë të lojës.

Nga ana tjetër, Tirana e Klafuriç nuk arriti të ruante ecurinë pozitive, ndërsa do të ketë jo pak pengje për rastin e pastër të humbur nga Berisha në pjesën e parë.

Pas këtij rezultati, Tirana mbetet në vendin e katërt me 11 pikë, ndërsa Vllaznia renditet e teta, me 3 pikë më pak.

Në sfidën tjetër, të zhvilluar në “Niko Dovana”, Teuta dhe Elbasani u ndanë në barazim 0-0, në një përballje të kujdesshme dhe me pak hapësira për të dyja skuadrat. Glen Daja e nisi aventurën në stolin e verdhebluve me një pikë në transfertë, duke ndalur përkohësisht vrullin e Teutës kryesuese. Rastet nuk munguan nga të dyja skuadrat. Nikaj dha sinjalin e parë për Elbasanin.

Pedro i Teutës përgjigjet dhe i afrohet golit me kokë. Edhe Përgjoni provon nga një goditje me dy takime brenda zonës, por e ndal mbrojtja. Nikaj tenton sërish në të dytën, por jashtë. Sërish sulmuesi shkodran që godet me kokë, por pret Bernardoni.

Për Elbasanin, ky ishte barazimi i pestë në tetë javët e para të kampionatit. Ndërkohë, Teuta mbetet përkohësisht në vendin e parë.

Tv Klan

/tvklan.al