Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë pritur në një drekë pune në Bruksel nga presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen. Ata kanë kërkuar nga komisioni i ri europian një udhërrëfyes konkret me afate të përcaktuara kohore për procesin e anetarësimit në BE në pesë vitet e ardhshme.

Shqipëria ka paraqitur një axhendë konkrete reformash me synim arritjen e anëtarësimit të plotë përpara vitit 2030. Kryeministri Rama synon që Konferenca e Dytë Ndërqeveritare të mbahet në muajin Tetor për t’u ndjekur nga një tjetër deri në fund të këtij viti.

Pjesa më e rëndësishme e kapitujve pritet të shqyrtohen vitin e ardhshëm në dy konferenca, e katërta në muajin Mars dhe e pesta në Dhjetor të vitit 2025. Në takimin e sotëm të liderëve ballkanikë me presidenten e KE Ursula Von Der Leyen u bisedua edhe për ndarjen e fondeve për rajonin tonë në kuadër të planit të rritjes ekonomike prej 6 miliardë Eurosh.

Von der Leyen ka emëruar tashmë sllovenen Marta Kos si komisionere të posaçme për zgjerimin.

Klan News