25 nëntor 2026 – Apeli i Posaçëm ka dënuar me 28 vite burg, Erlis Dukën, vëllai i Leonard Dukës, për përfshirje në vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Ky i fundit, i konsideruar si krahu i djathtë i armikut të përbetuar të Dukëve, Ervis Martianaj, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e “Xhamllikut” teksa ishte duke lëvizur me automjet.

Apeli i GJKKO-së la në fuqi dënimin me 30 vite burg për Leonard Dukën, i njohur si “koka e klanit Duka”. I pandryshuar mbeti dhe vendimi me 25 vite burg për bashkëpunëtorët Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Aga, Blendi Teta dhe Oltian Loga. Përveç Leonard Dukës, i cili ndodhet pas hekurave, të gjithë të tjerët janë në arrati. Për të njëjtën ngjarje, është dënuar me 25 vite burgim dhe Ilir Selmani.

Leonard Duka u arrestua më 14 shkurt 2023 në Belgjikë ndërsa u ekstradua drejt Shqipërisë për tu përballur me drejtësinë vitin e kaluar, i akuzuar si organizatori kryesor i atentatit.

Klani Duka është në armiqësi të përbetuar me Ervis Martinajn. Sipas SPAK eleminimi i Malkos erdhi si pasojë e përplasjeve që Duka-Martinaj. Ngjarja u zbardh e plotë prej komunikimeve në aplikacionin “SkyECC”, ku flitej për atentatin e rëndë.

Emri i Leonard Dukës doli dhe në dosjen e operacionit “Revanshi”, ku u zbardhën komunikime e biseda të zhvilluara në aplikacionin “Sky” dhe “Encrochat”. Në këto biseda, Duka thurte plane për eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe lidhjeve të afërta të tij shoqërore, siç ishte Erigers Mihasi. Mbi këto dyshime për Leonard Dukën, SPAK ka ngritur akuzën e sigurimit të kushteve të vrasjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

/tvklan.al