25 vjet burg ka dhënë këtë të martë gjykata për Klevis Allën, për vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, ngjarje e ndodhur në Prill të vitit 2020 në Shën Avlash të Durrësit.

Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja Glidona Daci, e cila thotë po ashtu se për këtë ngjarje, i akuzuari tjetër Altin Ndoci mori pafajësi. Me 6 vjet burg u dënua Besmir Xhixha, ndërsa Enver Diva me 5 vjet heqje lirie.

Kujtojmë se Klevis Alla ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë (Lexo më shumë). Përveç vrasjes së vëllezërve Haxhia, ai ka dhënë detaje edhe për vrasjen e Dorian Shkozës e Anxhelo Avdiajt, më 2 Mars të vitit 2020 në lagjen 14 në Durrës. Në të dy këto atentate akuzohet Talo Çela dhe Nuredin Dumani.

Në Gusht të 2023-t, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen në ngarkim të 20 personave, të arrestuar falë operacionit “Plumbi i Artë”. SPAK rendit 27 krimet për të cilat ata akuzohen, që kanë ndodhur nga 2011 deri në vitin 2022 (Lexo më shumë).

Të 27 krimet e rënda janë hetuar për afro një vit e katër muaj nga SPAK. Pas dëshmive të dy të penduarve të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Enrik Hoxhaj, policia arrestoi 20 persona, ndërsa 12 janë ende në kërkim.

Dumani dhe Talo Çela nga shokë të ngushtë u kthyen në armiq të përbetuar, kjo për shkak të ndarjes së parave të vjedhura në Rinas. E pikërisht hetimet nisën nga atentati që dyshohet se Talo Cela i bëri më 29 Mars 2022 Nuredin Dumanit, në Papër./tvklan.al