Prishtina është përfshirë për të katërtën natë radhazi nga protestat për vrasjen e Arlinda Zekajt, me qytetarët që vijojnë të kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për rastin që ka tronditur opinionin publik.

Protestuesit janë mbledhur sërish për të kërkuar që institucionet të japin llogari për mënyrën sesi u trajtuan paralajmërimet e Arlindës, e cila kishte kërkuar ndihmë nga autoritetet përpara se të vritej.

Ndryshe nga netët e mëparshme, këtë herë protestuesit kanë ndryshuar itinerarin e marshimit, duke u drejtuar fillimisht drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe më pas drejt institucioneve të tjera, ku kanë përsëritur thirrjet për drejtësi. Gjatë tubimit është lëshuar edhe audioincizimi, ku dëgjohet Arlinda Zekaj duke iu drejtuar togerit Faruk Muqolli dhe duke kërkuar ndihmë për situatën në të cilën ndodhej.

Publikimi i këtij regjistrimi gjatë protestës ka rikthyer në vëmendje thirrjet e saj për mbrojtje dhe pikëpyetjet mbi reagimin e institucioneve përpara ngjarjes tragjike.

Për vrasjen e Arlindës ka reaguar edhe profesori amerikan Alon Ben-Meir, i cili ka kritikuar institucionet e Kosovës për dështimin në mbrojtjen e grave nga dhuna në familje.

Në një reagim në Facebook, ai theksoi se Kosova, një vend që ka kaluar luftë dhe vuajtje të mëdha për të fituar lirinë, nuk duhet të pranojë që gratë të humbin jetën në shtëpitë e tyre, ndërsa institucionet që duhet t’i mbrojnë, nuk arrijnë të ndërhyjnë në kohë.

Ben-Meir kujtoi se, sipas raportimeve, gjatë këtij viti tetë gra janë vrarë si pasojë e dhunës në familje. Profesori amerikan e cilësoi ngjarjen një turp kombëtar, duke nënvizuar se e drejta për të jetuar pa frikë dhe për të qenë e mbrojtur duhet të jetë e garantuar për çdo grua.

Arlinda Zekaj u vra me sëpatë nga kunati në qytetin e Pejës. Ajo kishte kërkuar ndihmën e policisë, por se thirrja e saj nuk ishte dëgjuar. Në lidhje me ngjarjen, dha dorëheqjen drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

/tvklan.al