Avokatja Margarita Kola e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan foli për ngjarjen tronditëse, ku salla numër 3 e Gjykatës së Apelit u kthye në një skenë krimi. Gjyqtari Astrit Kalaja u vra në krye të detyrën nga 30-vjeçari Elvis Shkambi. Familja e këtij të fundit që prej vitit 1992 po ndiqte një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore për një çështje pronash në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër.

Avokatja tregoi se autori, Elvis Shkëmbi për ironi të fatit ishte student i drejtësisë, kishte studiuar ligj. Një metamorfozë! Një student drejtësie që për shkak të mllefit e një prone, kryen një vrasje.

“Nuk do doja që sot të më bëheshin pyetje për një magjistrat që është ekzekutuar në sallën e gjyqit. Salla e gjyqit është parlamenti i gjyqësorit. Kjo nuk ka ndodhur as në Meksikë ku kartelët e drogës kanë vepruar dhe shpesh kanë vrarë edhe prokurorë e gjyqtarë. Përtej kësaj e gjithë shoqëria shqiptare në këto ditë është fokusuar tek një djalë 31-vjeçar, i cili për ironi të fatit ka studiuar ligj dhe ka qenë një student shumë i mirë në shkollë dhe në shkollën e mesme.

Unë kam marrë të dhëna dhe ka pyetur në Shkodër për këtë djalë dhe kjo është ironia e fatit. Një djalë që studion ligjin, arrin që të pësojë metamorfozën që të mos zbatojë ligjin, por të arrijë të ngrejë dorën mbi një sistem i cili sipas mendimit të tij, dhe kjo bindje ka ardhur tek një djalë i cili që në momentin e parë që ka lindur dhe është rritur ka arritur të kuptojë gjuhën e të rriturve dhe që familja e tij nuk po merrte drejtësi.”

Me një gjuhë të ashpër dhe në shenjë revolte, avokatja tha se të gjithë janë nga pak vrasës, që nga “gjyqtarët që sillen si sulltanë, pushtetarët që përdorin drejtësinë për të mbuluar shkeljet e tyre e deri te avokatët servilë”.

“Sot ne të  gjithë jemi ndopak vrarës nuk e them këtë me pasion, por me bindje. Të gjithë ne që nuk arritëm që të ngremë një sistem i cili të jetë efektiv. Janë të gjithë gjyqtarët të cilët nuk ka dhënë drejtësi në rastet të caktuara, qeveritarë të cilët e kanë përdorur drejtësinë për të zgjidhur hallet dhe për të shpëtuar në raste kur kanë bërë shkelje ligjore, prokurorët të cilët sjellin në sallën e gjyqit njerëz pa akuza dhe veprojnë si gjyqtarë, gjyqtarët të cilët janë arrogantë dhe sillen si sulltanë, avokatët të cilët janë servila të gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe bëjnë rolin e sekserit. Të gjithë, të gjithë nga pak kemi kontribuar për këtë sistem dhe të gjithë duhet që të mbajmë përgjegjësi.”/tvklan.al