Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në Kavajë, ku një 48-vjeçar është vrarë me thikë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:22 në lagjen nr.3 të qytetit, pas një sherri mes dy burrave, njëri prej të cilëve ka plagosur tjetrin me thikë. Ndonëse i plagosuri i identifikuar si Skerdilajd Isufi u dërgua në spital dhe mjekët bënë të pamundurën për ta shpëtuar, fatkeqësisht ai ndërroi jetë.

“Në lidhje me informacionin e dhënë për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 3, Kavajë, ku dyshohet se për motive të dobëta një shtetas goditi me mjet prerës (thikë) një shtetas tjetër, i cili për pasojë ndërroi jetë në spital, sqarojmë se:

Pas verifikimeve të kryera rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi L. D., alias L. P., 48 vjeç, banues në Kavajë.

Ndërsa shtetasi që ka humbur jetën si pasojë e goditjes me thikë ka gjeneralitetet S. V., alias S. I., 48 vjeç.”, sqaroi Policia.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave duke ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit.

Sjellim ndërmend se kjo është vrasja e dytë me thikë që ndodh brenda 24 orësh në vend, pasi një ditë më parë pas një sherri në Tiranë, viktimë mbeti 31-vjeçari Egli Pashollari.