U qëllua për vdekje në Beograd avokati mbrojtës i ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç. Dragosllav Ognjanoviç, 57-vjeç, u vra në një atentat jashtë ndërtesës ku banonte në kryeqytetin serb.

Autoritetet në Serbi njoftuan se ngjarja ndodhi në orët e vona të së shtunës. Në atentatin ndaj avokatit të njohur mësohet se mbeti i plagosur në krah edhe djali i tij 26-vjeçar. Policia është vënë në kërkim të autorëve. Dyshohet se ata ishin dy, por ende nuk ka të dhëna për motivin e asaj që në pamje të parë ka të dhënat e një eliminimi mafioz.

Dragosllav Ognjanoviç është shumë i njohur në Serbi si pjesë e ekipit të avokatëve mbrojtës të Sllobodan Millosheviçit, gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën për Krime Lufte në Hagë.

57-vjeçari ka qenë avokat gjithashtu në një numër të madh të procesesh të mafias në Serbi dhe në Mal të Zi. Pikërisht lidhjet e tij me eksponentë të lartë të mafias serbe dhe asaj malazeze, dyshohet se mund të jetë pista që po ndjekin hetuesit. Disa pjesëtarë të njohur të rrjeteve kriminale serbe dhe malazeze janë vrarë në Beograd vitet e fundit. Policia i ka përshkruar këto vrasje si pjesë e një lufte bandash për tregun e drogës.

Tv Klan