Mediat shtetërore iraniane raportuan këtë të premte, më 20 mars, se zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), gjenerali Ali Mohammad Naini, është vrarë në sulmet e kryera nga SHBA-të dhe Izraeli.
Naini, i cili ishte edhe zëvendësdrejtor i marrëdhënieve me publikun, u vra vetëm disa ditë pasi forcat izraelite eliminuan figurën de facto të regjimit klerikal, Ali Larijani-n, si dhe përgjegjësin për shtypjen e protestave, Gholamreza Soleimani-n.
Eliminimi i Naini-t u konfirmua më pas edhe nga ushtria izraelite, e cila tha se ai u vra gjatë një sulmi ajror gjatë natës së kaluar.
Vetëm disa orë para vdekjes së tij, Naini kishte deklaruar se Teherani ishte ende i aftë të ndërtonte raketa pavarësisht bombardimeve të forcave amerikane në kuadër të Operacionit Epic Fury.

“Këta njerëz presin që lufta të vazhdojë derisa armiku të jetë plotësisht i rraskapitur,” shprehej ai. “Kjo luftë duhet të përfundojë kur hija e saj të hiqet nga vendi.”
Deklaratat e Nainit erdhën si përgjigje ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kishte pohuar se Irani “nuk ka aftësi të pasurojë uraniumin dhe nuk ka aftësi të prodhojë raketa balistike”.
“Ne po vazhdojmë t’i shkatërrojmë këto kapacitete. Do t’i shndërrojmë në pluhur, në hi,” tha Netanyahu në një konferencë për shtyp të enjten, sipas Times of Israel.
Më herët këtë javë, Naini kishte hedhur poshtë pretendimet se marina iraniane ishte shkatërruar, duke paralajmëruar presidentin Trump se SHBA-të mund të dërgonin anije në Gjirin Persik vetëm “nëse guxonin”.
“Ngushtica e Hormuzit është plotësisht nën menaxhimin e Marinës së IRGC-së dhe Irani ka sovranitet të plotë,” shprehej ai sipas agjencisë së lajmeve Tasnim. “A nuk thotë Trump se ka shkatërruar Marinën iraniane? Atëherë, nëse guxon, le t’i dërgojë anijet e tij në rajonin e Gjirit Persik.”












Botërori 2026 
