Aleksandar Vuçiç u shfaq në kazermën “Banjica 2” në Beograd duke folur sërish, sipas tij, për atë që e konsideron aleancë ushtarake mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.

“Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa në muajin janar, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Në ditët në vijim do të nënshkruajmë kontrata shumë të rëndësishme për blerje armatimesh dhe pajisjesh ushtarake. Mendoj se do të jemi një nga ushtritë me ndërveprimin më të theksuar dhe aftësitë më të mëdha jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë”.

Si komandant suprem i Forcave të Armatosura Serbe, Vuçiç tha se ka propozuar miratimin e një strategjie për krijimin e njësive ushtarake të pajisura me platforma robotike dhe dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi. Vuçiç tha se me këto masa synon modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë deklaruar se aleanca mes tyre nuk është e drejtuar kundër askujt, por Vuçiç e ka konsideruar atë si kërcënim për Serbinë.

“Këto tre shtete e formuan këtë aleancë ushtarake për të na sulmuar“, tha Vuçiç.

Sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkime mbi Paqen, vetëm në vitin 2024 Serbia shpenzoi 2.2 miliardë dollarë, rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, që zë vendin e dytë në rajon për shpenzime ushtarake.

Muajin e kaluar, Vuçiç njoftoi për blerjen e raketave balistike supersonike nga Kina për forcën e tij ajrore, si fuqia e parë në Evropë e pajisur me raketa ajër-tokë CM-400AKG, të cilat kanë rreze veprimi prej qindra kilometrash.

Klan News

/tvklan.al