Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u detyrua të ndërpresë ne mënyrë të papritur vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të problemeve shëndetësore.
Pas ekzaminimeve të para mjekësore, pasditen e së premtes Vuciç vendosi të kthehej menjëherë në Serbi.
Që prej 30 Prillit ndodhej në SHBA, ku vetë ai njoftoi se do të takohej me zyrtarë të shumtë të Partisë Republikane, si dhe me Presidentin e SHBA-së Donald Trump ne rezidencën e tij në Mar-a-Lago.
Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, një avokat i njohur dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Trump, Rudy Giuliani ishte ndër të parët që takoi gjatë qëndrimit të shkurtër në Florida.
Për ikjen e papritur të tij reagoi edhe emisari i posaçëm i presidentin amerikan, Richard Grenell, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehu keqardhjen që nuk u takuan dhe i uroi një shërim të shpejtë.
Presidenca serbe tha se do ta informojë publikun gjatë ditëve në vazhdim mbi natyrën e saktë të problemeve mjekësore, teksa mësohet se Vuçiç pas kthimit është shtruar në Spitalin ushtarak në Beograd për kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme.
Tv Klan