Zemërimi popullor, protestat e vazhdueshme dhe pakënaqësia ndaj korrupsionit kanë shënuar një moment të rëndësishëm në zhvillimet politike në Serbi, përmbysjen e pushtetit 14-vjeçar të Vuçiç, i cili ka rikthyer në vëmendje të ardhmen e vendit dhe ndikimin e tij në rajon.
Për këtë zhvillim, në emisionin “Rudina”, këtë të hënë, më 26 tetor, ishte e ftuar gazetarja e Klan News, Enita Mema, e cila u ndal te shkaqet që nxitën protestat pas tragjedisë së stacionit të trenit në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, si dhe te pakënaqësia e akumuluar ndaj qeverisjes së Aleksandar Vuçiçit.
“Në fakt, atje pati protesta sepse kishte një zemërim të akumuluar, nuk kishte transparencë për fondet publike dhe asnjëherë nuk u gjet një fajtor për të gjitha këto fatkeqësi që ndodhnin. Ishte krijuar një standardizim i pushtetit në mënyrë të strukturuar dhe njerëzit kishin krijuar këtë akumulim zemërimi dhe shpërthyen protestat.
Humbja u kuptua shumë mirë dje, sepse prania e votuesve në zgjedhje ishte e jashtëzakonshme dhe, sa herë ka prani shumë të lartë të votuesve, kjo është gjithmonë fitore për opozitën, sepse është tregues i jashtëzakonshëm që populli është i mërzitur me klasën në pushtet dhe tashmë do që ta ndryshojë atë përfundimisht.”
E pyetur se çfarë i mëson Shqipërisë ky zhvillim politik në Serbi, gazetarja theksoi se ndryshimet në vendet fqinje dhe në Evropë mund të ndikojnë në rrugëtimin e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
“Drejtpërdrejt nuk na cenon dhe as nuk na ndikon, por ama, në qoftë se politikat e të gjitha vendeve fqinje me ne apo politikat e vendeve evropiane ndryshojnë për të çuar përpara popullsinë përkatëse, jemi në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, jo vetëm Shqipëria, por të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.”
Një tjetër çështje e rëndësishme mbetet ndikimi i zhvillimeve politike në Serbi te Kosova. Mema nënvizoi se është ende herët për të përcaktuar nëse klasa e re politike do të sjellë ndryshime në qëndrimin e Beogradit ndaj Prishtinës, por theksoi se korrupsioni dhe politikat e ndjekura gjatë qeverisjes së Vuçiçit kanë ndikuar në marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian.
“Serbia në të gjithë këto vite u stopua nga Bashkimi Evropian pikërisht për shkak të korrupsionit të lartë dhe politikave jo konform rregullave të Bashkimit Evropian, të ndjekura nga Vuçiçi. Dhe sigurisht që një pjesë të rëndësishme të kësaj politike dhe mangësive që kishte Vuçiçi ishte edhe politika kundrejt Kosovës.”
Sipas Memës, zhvillimet e fundit duhen parë me kujdes, pasi ndryshimet politike nuk sjellin automatikisht transformim të menjëhershëm të institucioneve apo të marrëdhënieve rajonale. Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës dhe ecuria e saj drejt integrimit evropian mbeten ndër çështjet kryesore që do të përcaktojnë ndikimin e këtyre zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.
/tvklan.al












Botërori 2026 