Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Islandën Jugore, ndërsa njerëzit janë evakuuar

Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Islandën Jugore për shkak të një tjetër shpërthimi vullkanik në Gadishullin Reykjanes, i katërti që nga Dhjetori. Ky mendohet të jetë shpërthimi më i fuqishëm deri tani. Llava ka arritur deri në anën lindore të qytetit Grindavik. Njerëzit janë zhvendosur gjithashtu nga Laguna Blu aty pranë, një nga atraksionet turistike më të njohura të Islandës.

Një shpërthim në Janar dogji toka, disa shtëpi, ndërsa shpërthimi i Shkurtit ndërpreu ngrohjen qendrore për më shumë se 20,000 njerëz pasi rrjedhat e llavës shkatërruan rrugë dhe tubacione. Pamjet e shpërthimit tregojnë re tymi dhe magmën që rrjedh duke mbuluar një pjesë të madhe të qytetit. Shpërthimi fatmirësisht nuk ka prekur aeroportin kryesor ndërkombëtar, i cili shtrihet në veri-perëndim të Grindavik.

Sipas autoriteteve, shpërthimi shkaktoi një çarje rreth 2.9 kilometra të gjatë, afërsisht e njëjta madhësi me shpërthimin e fundit në Shkurt. Autoritetet kishin paralajmëruar për javë të tëra se një shpërthim ishte i pashmangshëm në gadishullin Reykjanes në jug të kryeqytetit të Islandës, Reykjavik. Islanda, afërsisht sa shteti amerikan i Kentakit ka më shumë se 30 vullkane aktive, duke e bërë ishullin e Evropës Veriore një destinacion kryesor për turizmin vullkanik.

Në vitin 2010, retë nga vullkani Eyafjallajokull në jug të Islandës u përhapën në pjesë të mëdha të Evropës, duke bllokuar rreth 100,000 fluturime dhe duke detyruar qindra islandezë të evakuohen shtëpitë e tyre. Shkencëtarët kanë frikë se shpërthimet mund të vazhdojnë për dekada dhe autoritetet islandeze kanë filluar të ndërtojnë diga për të devijuar rrjedhat e lavës larg shtëpive dhe infrastrukturës kritike.

Klan News