Barcelona shënoi një fitore të lehtë 3-0 përballë anglezëve të Aston Villa-s në sfidën e vlefshme për raundin e katërt të fazës së ligës në Champions League.

Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick u rikthye kështu te suksesi në këtë kompeticion, duke lënë pas humbjen 4-2 të pësuar javën e kaluar në transfertën ndaj Paris Saint-Germain.

Protagonistët kryesorë të këtij takimi për katalanasit ishin sërish Lamine Yamal dhe Raphinha, të cilët udhëhoqën me sukses fazën ofensive të skuadrës. Talenti spanjoll hapi llogarinë e ndeshjes me një goditje mjaft të bukur, ndërsa braziliani Raphinha realizoi një dygolësh për të vulosur shifrat përfundimtare përballë formacionit të Unai Emery.

Goli i shënuar nga Lamine Yamal mbart një rëndësi të veçantë historike për statistikat e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Me këtë realizim, sulmuesi i Barcelona-s arriti në kuotën e 14 golave në Champions League, duke thyer një rekord të mbajtur më parë nga francezi Kylian Mbappe.

Yamal u bë lojtari me numrin më të lartë të golave të shënuar në këtë turne përpara moshës 20-vjeçare. Duke marrë parasysh se ditëlindja e tij është në muajin korrik, sulmuesi ka në dispozicion edhe shumë ndeshje të tjera për ta thelluar akoma më tepër këtë rekord absolut.

/tvklan.al