V, një nga anëtarët e grupit të famshëm të K-pop-it BTS, ka zbuluar se po merr trajtim për humbje të dëgjimit në njërin vesh, teksa grupi ndodhet në mes të turneut të shumëpritur botëror.
Gjatë një transmetimi live të mërkurën, këngëtari 30-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është Kim Tae-hyung, tregoi se po përballet me këtë problem prej rreth dy vitesh e gjysmë. Ai tha se kjo ishte hera e parë që vendoste t’ua tregonte këtë fansave të grupit.
“Nëse dëgjimi në veshin tim të majtë është 100, në të djathtin është vetëm rreth 30”, u shpreh V.
Këngëtari tregoi se problemi me dëgjimin ishte përkeqësuar gjatë kohës që shërbente në ushtri. Në fillim ai nuk i kishte kushtuar shumë rëndësi, por tashmë, V pohoi se po merr medikamente dhe shkon rregullisht në spital për trajtim dhe kontrolle.
BTS ndodhet aktualisht në turneun e parë botëror prej disa vitesh, i cili shënon ribashkimin e të shtatë anëtarëve pas një pauze të detyruar për shkak të shërbimit ushtarak.
Në Korenë e Jugut, me përjashtime të rralla, burrat e aftë për shërbim duhet të kryejnë rreth 18 muaj shërbim ushtarak. Edhe anëtarët e BTS iu nënshtruan këtij detyrimi, duke nisur shërbimin në një periudhë kur grupi ishte në kulmin e famës, në vitin 2022.
V iu bashkua ushtrisë në vitin 2023 dhe u lirua nga shërbimi në qershor 2025.
Turneu botëror “Arirang”, i cili nisi në prill në Korenë e Jugut, shënoi rikthimin e shumëpritur të shtatë anëtarëve të grupit në skenë.
Në muajt e ardhshëm, turneu do ta çojë BTS në qytete të ndryshme të botës, mes tyre Los Angeles, Buenos Aires, Bangkok, Sydney dhe Hong Kong.
/tvklan.al












Botërori 2026 
