Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. K.S, i dyshuari për krimin, i cili u arrestua rreth 6 orë pas ngjarjes, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor lidhur me rrethanat dhe motivin e konfliktit që përfundoi në mënyrë tragjike.

Sipas dëshmisë së tij, përplasja me 20-vjeçarin kishte nisur disa ditë përpara ngjarjes dhe lidhej me disa episode të mëparshme mes tyre, raporton gazetarja e Klan News Daniela Zisi. Një nga shkaqet që dyshohet se ka përshkallëzuar konfliktin ka qenë edhe një pretendim për ngacmimin e të dashurës së autorit të dyshuar.

Por hetuesit po marrin në konsideratë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve. Sipas të dhënave të deritanishme, ata kishin pasur debate dhe konflikte verbale, ndërsa dyshohet se mes tyre kishte pasur edhe ngacmime e provokime të ndërsjella.

Konflikti, i cili dyshohet se kishte nisur për arsye të dobëta dhe lidhej edhe me pretendimet se kush konsiderohej “i forti” i lagjes, vijoi të përshkallëzohej përmes sharjeve dhe përplasjeve të vazhdueshme.

Sipas dëshmisë së K.S, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe ka shkuar në ndjekje të 20-vjeçarit. Më pas e ka qëlluar me një plumb pas shpine, plagë e cila rezultoi fatale për Johan Zukon.

Pas ngjarjes, K.S u largua nga vendi i krimit dhe qëndroi i fshehur në një zonë pranë varrezave të qytetit. Rreth 6 orë më vonë, ai u largua nga zona dhe u afrua drejt banesës së tij. Pikërisht në këtë moment u pikas nga forcat e Policisë, të cilat ndërhynë menjëherë për arrestimin e tij.

Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur në mënyrë të plotë dinamikën e ngjarjes. Dëshmia e autorit të dyshuar, së bashku me provat e administruara gjatë hetimit, pritet të ndihmojë në përcaktimin e saktë të rrethanave dhe motivit që çoi në vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko.

Ngjarja e rëndë u shënua më 8 gusht dhe tronditi Korçën dhe opinionin publik. Johan Zuko, 20 vjeç u vra në shkallët e pallatit, teksa ngjiste shkallët, duke iu larguar shokut të fëmijërisë, që kërkonte ta vriste.

Zuku arriti deri në katin e tretë, por se atje u ekzekutua me kallashnikov nga autori, po ashtu 20-vjeçar. Pas disa orësh në arrati, autori i dyshuar u arrestua.