Vlorë | Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 29.05.2021, rreth orës 23:25, në fshatin Kaninë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri Edison Begaj.

Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë e mundur shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit:

Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Policia thotë se “ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, Edison Begaj, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur”.

Pamjet e atentatit në fjalë, tregonin se Begaj u qëllua pranë shtëpisë së tij, ndërkohë që brenda në makinë ndodheshin dy fëmijët e tij të vegjël.

Një shpullë në lokal u bë shkak për plagosjen e Edison Begajt në sy të fëmijëve

Policia e Vlorës njoftoi mëngjesin e kësaj të marte se kishte mundur të zbardhte plagosjen e 41-vjeçarit Edison Begaj, ngjarje e ndodhur në Kaninë të Vlorës më Maj të këtij viti. Kështu autor i dyshuar i ngjarjes, sipas policisë është Mitri Prifti, një 36-vjeçar nga Tirana, i cili tanimë është shpallur në kërkim. Në njoftimin e saj zyrtar policia tha se shkak për ngjarjen ishin bërë motivet e dobëta.

Burime për gazetarin e Klan News, Besar Bajraktari, bëjnë me dije se Mitri Prifti e ka plagosur Edison Begajn për arsye të një sherri të mëparshëm banal.

Kështu, disa ditë para ngjarjes të dy personat janë konfliktuar në një lokal në zonën e Lungomares. Begaj e ka goditur 36-vjeçarin me shpullë në publik. Ky i fundit nuk e ka falur këtë gjë dhe më pas ka tentuar ta vrasë. Mendohet se ky moment është filmuar nga kamerat e barit në fjalë dhe ka qenë kyç për zbardhjen e ngjarjes. Po ashtu, element mjaft i rëndësishëm ka qenë edhe dëshmia e Begajt në polici, çka ka treguar në lidhje me konfliktin në momentet e para pas ngjarjes, teksa më pas kanë nisur hetimet.

Edison Begaj u qëllua pranë shtëpisë, gjatë kohës që në makinën e tij ndodheshin dy fëmijët e vegjël. I maskuar e i armatosur me kallashnikov, autori iu afrua dhe pasi shkëmbyen disa fjalë hapi zjarr, duke e lënë 41-vjeçarin të plagosur./tvklan.al