Teksa Shqipëria është në prag të nisjes së sezonit turistik, Ministria e Kulturës ka nisur bashkëpunimin me guidat, agjencitë turistike dhe specialistet në terren për të garantuar një ofertë të plotë të shërbimit në sitet dhe atraksionet kulturore.
Përmirësimi i infrastrukturës, sinjalistikave informuese, biletimi online, rifreskim i itinerareve ekzistuese do të jenë në fokus të instancave shtetërore dhe operatorëve të licencuar për këtë sezon.
“Ka nisur një proces me agjencitë turistike dhe “tour guide”-t që në paketat e tyre të reja turistike të ofrojnë edhe sitet e trashëgimisë kulturore jo se nuk janë ekzistuese por të përmirësohet cilësia e ofertimit. Ka patur goxha diskutim, edhe për përmirësimin e infrastrukturës brenda siteve dhe pjesa e aksesueshmërisë së siteve, do të përmirësohet edhe ndërhyrja në sinjalistikë”, tha Benida Kraja, drejtuese e Drejtorisë së Politikave për Trashëgiminë Kulturore.
Puna konkrete ka nisur në disa destinacione historike, në Kalanë e Shkodrës, Kalanë e Lezhës, Porto Palermo, Borsh, Apoloni ndërsa pasurimi i ofertës me destinacone më pak të njohura do të jetë prioritet.
“Kemi planifikuar që të bëjmë një udhëzim të përbashkët për pjesën e Trashëgimisë Kulturore. Do të kemi një konsultim të dytë për të dalë në disa përfundime të përbashkëta”, tha Kraja.
Ashtu si vitin e shkuar, nga 1 Maji sitet dhe muzetë do t’i nënshtrohen operimit në sezon me orare të zgjatura dhe stafe shtesë.
Turizmi Kulturor vazhdon të rritet sa i takon shifrave; si në numër vizitorësh ashtu edhe në të ardhura të gjeneruara.
Tv Klan