Gjatë punimeve të restaurimit që po zgjasin prej një dekade në Buckingham Palace, punëtorët kanë zbuluar dhjetëra objekte, disa prej të cilave datojnë që nga periudha e mbretërimit të Mbretëreshës Viktoria.

Rikonstruksioni i plotë i rezidencës ikonike mbretërore nisi në prill të vitit 2017 dhe përfshin zëvendësimin gradual të kaldajave, paneleve elektrike, kabllove, depozitave të ujit dhe tubacioneve, disa prej të cilave nuk ishin prekur që nga vitet 1950.

Punimet synojnë gjithashtu të përmirësojnë eficiencën dhe aksesueshmërinë e pallatit. Ndërsa kanë hequr dërrasat e dyshemeve dhe kanë çmontuar pjesë të mureve, punëtorët kanë hasur objekte të zakonshme që sot flasin për historinë e Buckingham Palace.

Ndër zbulimet më të hershme është një fragment gazete që përmban programin e shfaqjeve të teatrove të West End-it, botuar në Evening Standard më 27 nëntor 1889, gjatë viteve të fundit të mbretërimit të Mbretëreshës Viktoria.

Në një fragment tulle u gjet edhe një biletë për një aktivitet të organizuar nga Royal Household Social Club, një turne loje me letra “Whist”, i zhvilluar në Pallat më 14 prill 1949, gjatë mbretërimit të Mbretit George VI.

Punëtorët kanë zbuluar gjithashtu objekte që lidhen me periudhën 70-vjeçare të mbretërimit të Mbretëreshës Elizabeth II. Mes tyre janë fletë të paplotësuara bastesh të Littlewoods Football Pool nga viti 1957, një artikull i Daily Express i vitit 1966 për arrestimin e grabitësve të Great Train Robbery, si dhe një kuti cigare Benson & Hedges që duket se i përket stilit “Silk Cut” të viteve 1980.

Mes zbulimeve është edhe një dokument organizativ që përcaktonte programin e një pritjeje diplomatike gjatë Jubileut të Argjendtë të Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 1977.

Sipas dokumentit, të ftuarit britanikë do të shpërndaheshin në dhomat ceremoniale të pallatit, ndërsa Mbretëresha do të lëvizte mes të ftuarve në një drejtim të përcaktuar, në mënyrë që të takonte pjesëmarrësit gjatë eventit.

Sipas një vlerësimi të vitit 2016, programi i rinovimit të Buckingham Palace do të kushtonte rreth 487 milionë dollarë dhe do të shtrihej në një periudhë 10-vjeçare. Qëllimi është që pallati, i cili vizitohet nga më shumë se 15 milionë turistë në vit, të mbetet në gjendje optimale për të paktën 50 vitet e ardhshme.

Buckingham Palace ka vijuar të funksionojë edhe gjatë punimeve dhe Mbretëresha Elizabeth II e përdori pjesërisht si rezidencë deri në vdekjen e saj në vitin 2022. Ndërkohë, vizitat shtetërore, përfshirë atë të presidentit amerikan Donald Trump në shtator 2025, janë zhvilluar në Windsor Castle për shkak të punimeve në ambientet pritëse të pallatit.

Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla kanë përdorur Clarence House si bazën e tyre në Londër dhe planifikojnë të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe pas përfundimit të restaurimit.

Megjithatë, Buckingham Palace do të vijojë të përdoret për takimet zyrtare të Mbretit. Edhe pa praninë e përhershme të familjes mbretërore, pallati do të mbetet qendra ceremoniale e jetës mbretërore, vendi kryesor i punës së Familjes Mbretërore dhe një pasuri e trashëgimisë kombëtare, me mundësi të zgjeruara për vizitorët.

“Madhëria e Tij ka një lidhje të fortë emocionale me Buckingham Palace dhe një respekt të thellë për rolin e tij në jetën mbretërore dhe publike. Ai do të mbetet një rezidencë funksionale, ndërsa synojmë të zgjerojmë aksesin e publikut për të maksimizuar përfitimin kombëtar nga një ndërtesë e financuar nga fondet publike”, deklaroi Pallati në qershor 2026.

Artikull i përshtatur nga “People“