Policia dhe Prokuroria ka identifikuar porositësit e vrasjes së ish – Drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku.

Burime nga grupi hetimor thonë për Televizioni Klan se në kërkim janë shpallur dy persona, të cilët nuk janë gjetur në banesat e tyre në Shqipëri dhe dyshohet se ndodhen jashtë vendit.

Televizioni Klan mëson se ata janë të njohur të Mikel Shallarit, 24 – vjeçarit të arrestuar si ekzekutori i ish -drejtuesit të Policisë.

Identifikimi i tyre ka ardhur përmes marrjes në pyetje të Shallarit dhe provave të tjera të siguruara në rrugë operacionale.

Policia nuk i bën publik emrat e të shpallurve në kërkim, për shkak të hetimeve janë në zhvillim.

Por burime të grupit hetimor thanë për Televizionin Klan se po bashkëpunohet edhe me policitë e disa vendeve partnere për arrestimin.

Urdhëri i vrasjes dyshohet se ka të bëjë me detyrën që ka ushtruar Cuku si Drejtor i Policisë së Vlorës dhe me arrestimet e kryera për një zinxhir vrasjesh mes dy grupeve kriminale.

Por nuk përjashtohen edhe disa arrestime të gjatë kohës që ka ushtruar detyrën si Nëndrejtor i Policisë së Beratit dhe Fierit.

Pikërisht zbardhja e një vrasje në qytetin e Vlorës dhe arrestimi i një të riu nga Fieri si autor i krimit, dyshohet si motivi kryesor i vrasjes.

Këto të dhënat të vlefshme për hetimin janë marrë nga dëshmia e ekzekutorit, Mikel Shallari i arrestuar ditën e diel.

Por megjithatë, dëshmia e 24 – vjeçarit ka qënë kontradiktore dhe grupi hetimor ende nuk mund të dalë në konkluzione të sakta.

I riu nga Kuçova do të dalë të martën para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Mikel Shallari u identifikua nga ADN-ja, e cila u gjet në rrobat të cilat ai hodhi disa metra larg vendit të krimit.

ADN e tij u krahasua me bazën e të dhënave të policisë së Zvicrës, ku ai ka vuajtur një dënim për trafik droge dhe rezultoi se ajo përputhej me atë 24 – vjeçarit.  

Tv Klan