Në parkun arkeologjik të Bylisit ose Nikeas siç njihej në antikitet arkeologët kanë zbuluar një statujë që i përket periudhës helenistike.

Statuja e konsideruar si një gjetje e rrallë  në një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit ilir mendohet të jetë shtati i një luftëtari ose statuja e një perëndie.

Bashkim Vreraj: “Nga përshtypjet e para duket që kemi të bëjmë  me një mashkull, ndoshta dhe me një luftëtar. Po të kemi parasysh se nga njëra anë është  edhe një sopat. Kemi të bëjmë me një gjetje të rrallë, jo vetëm për Bylisin por edhe më gjerë  sepse është një statujë  e veçantë. Rrallë kemi gjetur statuja ulur. Zakonisht të ulur janë statujat e perëndive.”

E gjetur jashtë mureve të qytetit antik  statuja prej guri gëlqeror  është e përmasave të një njeriu. Ajo do tu nënshtrohet studimeve të mëtejshme që do të përcaktojnë  periudhën e saktë të  krijimit dhe atë se çfarë përfaqëson.

Statuja u zbulua gjatë punimeve  për ndërtimin e një rruge. Menjëherë pas gjetjes së saj punimet janë ndërprerë për tu lënë vend gërmimeve të tjera arkeologjike./tvklan.al