Për afro 4 orë Kryesia e Partise Socialiste diskutoi për strategjinë elektorale të zgjedhjeve të 30 Qershorit tanimë që opozita zytare, demokratët dhe aleatët e tyre të vegjël, kanë marrë vendim për t’i bojkotuar ato. Burime nga kjo mbledhje ku ishin pjesë dhe anëtarë të kabinetit qeveritar thonë se Rama i ka siguruar se zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor dhe socialistët duhet të bëjnë një proces zgjedhor model dhe të respektojnë ligjin. Fokusi i fushatës do të jetë padyshim pjesëmarrja e lartë votuesve që në kushtet kur demokratët s’do të marrrin pjesë do të jetë një sfidë për socialistët.

Edhe zëdhënësja e Kryesisë, ministrja Spiropali pas mbledhjes pohoi të njëjtën gjë duke nënvizuar se nuk po shkohet në zgjedhje pa opozitën sa kohë janë një numër i madh forcash politike që janë regjistruar për të qenë pjesë e garës së 30 Qershorit.

“Kemi diskutuar për zgjedhjet e 30 Qershorit, sepse jemi të vendosur që të garantojmë një proces zgjedhor për shqiptarët dhe me shqiptarët. Ne nuk do shkojmë në zgjedhje pa opozitën, ato nuk janë opozita e vendit, ato janë disa parti që kanë zgjedhur mos jenë pjesë e procesit zgjedhor. Atë vendim e kanë marrë prej frikës. Nuk jemi këtu për të vendosur datën e zgjedhjeve. Në dijeninë tonë janë rreth 42 parti politike që janë regjistruar në zgjedhje. Ne nuk do marrim pjesë në luftë, do marrim pjesë në zgjedhje dhe ne shpresojmë që asnjë forcë politike nuk e ka lënë mendja që të ndalojë shqiptarët të votojnë. Çdo akt dhune është i papranueshëm. Është një turp që Partia Demokratike ka zgjedhur të lërë në rrugë zgjedhësit e saj

Spiropali komentoi edhe vendimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj për të blllokuar rrugët në protestën e së enjtes. Po ashtu në mbledhje ku e morën fjalën pothuajse të gjithë anëtarët e Kryesisë, u diskutua dhe për kandidaturat që Partia Socialiste do të përzgjedhë për krerët e 61 bashkive. Fjala e fundit do t’i takojë Asamblesë Kombëtare e cila është vendosur të mbahet në datën 10 Maj ku do të zyrtarizohen kandidatët, ndërkohë që nuk përjashtohet dhe mundësia e koalicionit parazgjedhor. Asambleja do të zhvillohet vetëm 3 ditë përpara përfundimit të afatit që KQZ ka për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie, që është data 13 Maj.

Tv Klan