04 nëntor 2026- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Donald Trump ka reaguar me tone të ashpra pas rezultateve të zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të cilat  dëshmuan një humbje të thellë për republikanët.

Në një seri postimesh në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump ka sulmuar mediat, demokratët dhe komentuesit politikë, duke shfaqur nervozizmin për humbjen e kontrollit të Kongresit.

“Emri im nuk ishte në fletën e votimit. Po të kishte qenë, do të kishim fituar me një fitore dërrmuese!”, shkroi Trump, duke falënderuar ndjekësit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje.

Megjithatë, në një intervistë për The New York Times, presidenti amerikan është shprehur i gatshëm të pranojë rezultatet e zgjedhjeve, duke deklaruar se administrata e tij do të bashkëpunojë me demokratët.

“Jam absolutisht i gatshëm t’i pranoj këto rezultate. Do të punojmë me demokratët dhe mezi presim të bashkëpunojmë me ta. Me gjasë do të gjejmë një marrëveshje”, tha Trump.

Por, pavarësisht deklaratave për bashkëpunim, reagimet e tij gjatë natës së zgjedhjeve kanë qenë të mbushura me akuza dhe sulme.

Trump sulmon Fox News: Audienca po bie për shkak të demokratëve

Një nga shënjestrat e presidentit amerikan ishte Fox News, televizioni që ai kishte zgjedhur për të ndjekur rezultatet e zgjedhjeve së bashku me këshilltarët e tij më të afërt.

Në një postim në “Truth Social”, Trump pretendoi se audienca e televizionit ka rënë ndjeshëm, duke e lidhur këtë me mbulimin e gjerë të demokratëve.

“Shikueshmëria e Fox News është në rënie të ndjeshme, 27%, sepse i kushtojnë shumë kohë ‘demokratëve të fiksuar pas Trumpit’”, shkroi ai.

Presidenti akuzoi gjithashtu kompaninë Fox Corp se po financon politikanë demokratë dhe organizata të lidhura me ta, duke paralajmëruar se audienca e televizionit do të vijojë të bjerë.

“Problemi janë ata, jo unë. Shifrat e mia janë më të mira se kurrë”, deklaroi Trump, duke pretenduar se sondazhet tregojnë mbështetje të lartë për presidencën e tij.

Paralajmërimi për shkarkimin: “Demokratët duan impeachment-in tim”

Në një email drejtuar mbështetësve të tij, ndërsa qendrat e para të votimit po mbylleshin në SHBA, Trump i cilësoi demokratët si “më të pakontrolluar, më të zemëruar dhe më të rrezikshëm se kurrë”.

Ai u bëri thirrje mbështetësve të kontribuojnë në fushatën e tij të mbledhjes së fondeve, ndërsa paralajmëroi se demokratët, në rast fitoreje, do të kërkojnë hapur shkarkimin e tij nga detyra.

Trump kujtoi se mandati i tij i dytë presidencial është “praktikisht në gjysmë”, duke shtuar se ka ende shumë punë për të bërë për ta “bërë Amerikën sërish të madhe”.

“Ju premtoj se do të vazhdoj të luftoj çdo ditë për ju dhe familjet tuaja”, shkroi ai.

Më herët, në një intervistë për CBS News, presidenti amerikan ishte shprehur i gatshëm të përdorte “fuqi të jashtëzakonshme”, përfshirë veton presidenciale, nëse demokratët do të merrnin kontrollin e Kongresit.

Sulmi ndaj komentueses demokrate: Budallaqe si guri

Trump ka sulmuar edhe Jessica Tarlov, komentuesen politike dhe bashkëdrejtuesen e emisionit The Five në Fox Neës, e njohur si një nga zërat e pakët jo-konservatorë në televizion.

Në një postim në Truth Social, presidenti kritikoi aftësitë e saj dhe zërin, duke përdorur gjuhë fyese.

“Po ndjek rezultatet paraprake në Fox News, por nuk e duroj dot zërin e Jessica Tarlov. Është budallaqe si guri, por është zëri i saj ai që më bezdis”, shkroi Trump.

Ai shtoi se do të kalonte në një kanal tjetër derisa komentuesja të mos ishte më në transmetim.

Ndërkohë, në një tjetër deklaratë, Trump ka shpallur në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë një “javë antikomuniste”, duke vijuar retorikën e tij kundër demokratëve.

Reagimet e presidentit dhe të republikanëve gjatë natës së zgjedhjeve tregojnë tensionin e lartë brenda kampit të tij, ndërsa rezultatet e votimit po sinjalizojnë një humbje të rëndësishme politike për administratën Trump.

/tvklan.al