3 nëntor 2026 – Avokati i njohur Saimir Vishaj është ndarë nga jeta këtë të martë, më 3 nëntor, në Spitalin e Traumës, duke lënë pas një karrierë të gjatë në fushën e drejtësisë dhe kujtimin e një njeriu që për vite me radhë e kishte kthyer mbrojtjen e të tjerëve në misionin e tij profesional.

Në emisionin “Rudina”, avokati është rikujtuar përmes një interviste të dhënë më 21 maj të këtij viti, në të cilën kishte folur me sinqeritet për peshën emocionale të profesionit të tij, përgjegjësinë që ndiente ndaj klientëve dhe betejat e shumta që kishte përballuar gjatë karrierës.

Ai tregonte se shqetësimet e njerëzve që mbronte i shoqëronin edhe jashtë sallave të gjyqit, duke u bërë pjesë e përditshmërisë së tij.

“Zgjohesha dhe flija me shqetësimin e tjetrit. Pra, mbaja stresin e tjetrit mbi kurriz derisa të… Po kjo nuk ishte një çështje, kjo ishte qindra çështje. Të mbaja stresin e të tjerëve, të cilët i kishin shkelur po ose jo ligjin. Gjithmonë i kam prezumuar të pafajshëm klientët. Gjithmonë kam ngritur zërin për padrejtësitë që ata kanë ngritur, jo vetëm për klientët e mi, po për të gjithë, kam dalë dhe publikisht”, shprehej Vishaj.

Gjatë intervistës, ai kishte kujtuar edhe çështjet e vështira me të cilat ishte përballur ndër vite, duke theksuar se kishte luftuar për të shmangur dënime që i konsideronte të pajustifikuara.

Megjithatë, problemet e rënda me shëndetin e tij duket se kishte ndryshuar edhe mënyrën se si e përjetonte profesionin dhe raportin me njerëzit.

“Kam pasur çështjet nga më të vështirat. Kam hequr dënime të pajustifikuara që kanë dashur t’u japin prokurorët dhe gjyqtarët, kurse pas ngjarjes lidhur me shëndetin tim, jeta më ka distancuar duke qenë më i butë, më komunikues, më i afërt dhe drejtpërdrejt me palën dhe pa e shqetësuar veten për ato gjëra që shfaqen apo marr përsipër për të bërë përpara gjykatës”, rrëfente ai.

Sot, këto fjalë marrin një tjetër peshë. Pas tyre qëndron historia e një njeriu që përshkruante profesionin e avokatit jo thjesht si një detyrë ligjore, por si një përgjegjësi njerëzore, duke mbajtur mbi supe shqetësimet dhe betejat e atyre që kërkonin drejtësi.

/tvklan.al