Mëngjesi i këtij mesi gushti, i gjeti pushuesit e një hoteli në lagjen 10 korriku në Vlorë, duke u hedhur nga ballkoni për ti shpëtuar zjarrit që përfshiu godinën.

Ngjarja ndodhi në orën 4:05 minuta dhe nga flakët mbetën të lënduar 6 persona.

2 prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë, pasi kanë pësuar djegie trupore dhe po trajtohen në QSUT, 2 të tjerë po marrin mjekim në Spitalin e Traumës për shkak të frakturave nga hedhja.

“Dy prej tyre i nisëm në qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë. Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, tha shefi i reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj.

Zjarri sipas Policisë, ishte aksidental dhe u shkaktua nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit në katin e parë.

Pushuesit e konsideruan të tmerrshëm momentin kur konstatuan zjarrin dhe përpjekjet për ti shpëtuar.

Zjarri la pas shenjat e djegies, teksa policia edhe pse përcaktoi se zjarri ishte aksidental, ka vijuar me veprimet hetimore për dokumentimin e ngjarjes.

/tvklan.al