Dy efektivë të forcave zjarrfikëse, janë lënduar gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në Dropull. Ata kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës.

Njëri prej zjarrfikësve ka djegie të lehta në gjymtyrë, ndërsa tjetri probleme si shkak i asfiksisë nga tymi. Aktualisht gjendja shëndetësore e tyre është e stabilizuar dhe ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha.

Arben Cara, dr. i përgjithshëm i zjarrfikësve: Fatmirësisht shkalla e djegies nuk është aq e rëndë sat a komplikojë situatën. Jemi gati që të bëjmë gjithçka që duhet për shërimin e zjarrfikësit, ta transportojmë jo vetëm në Tiranë, por nëse duhet edhe në vende të tjera për të pasur një shërim sa më të shpejtë dhe të sigurt.

Romeo Sulejmani efektivi zjarrfikës i Përmetit, që pësoi djegie në gjymtyrë ka rrëfyer momentet e vështira të luftës me flakët.

Romeo Sulejmani, efektiv zjarrfikës i Përmetit: Për momentin kur shpërtheu zjarri në fshat ishim të detyruar të rrezikonim çdo gjë. Kolektivi dhe tre shokët që kemi qenë aty rrezikonin familjet, kiemi qenë të  detyruar të futeshim përmes zjarrit. Zjarri na ka hyrë brenda në makinë, ka qenë një gjë mund t’i ndodhte çdokujt. Ka qenë mbi 5 metra zjarri dhe duhet ta mbanin nën kontroll, nuk kishin se çfarë të bënim.  

Pas një pune të pandërprerë të forcave në terren dhe nga ajri ka përmirësim të situatës së zjarrit në fshatin Grapsh në bashkinë Dropull dhe në fshatin Kardhikaq në bashkinë Finiq. Sipas kreut të forcave zjarrfikëse është larguar rreziku nga zonat e banuara.

Arben Cara, dr. i përgjithshëm i zjarrfikësve: Zjarri ka shkaktuar vetëm dëme në bimësi, në shkurre dhe pyje kryesisht. Nuk kemi dëme të tjera në banesa, fatmirësisht është bërë ndërhyrja nga shërbimi zjarrfikës, gjithsecili ka bërë që të mos preket asnjë banesë nga zjarri deri më tani. Janë lokalizuar dhe janë shuar plotësisht vatrat e zjarrit në të gjithë fshatrat e zonës së Gjirokastrës dhe Dropullit.

Por beteja me flakët ende nuk ka mbaruar.

Arben Cara, dr. i përgjithshëm i zjarrfikësve: Vazhdon zjarri në pjesën tjetër në Qafën e Muzinës, po mbahen nën kontroll nga forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë. Duhet të jemi në krah të zjarrfikësve dhe të forcave të tjera operuese deri në shuarjen e vatrës përfundimtare.  

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkoi edhe mbështetjen e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, nga i cili ofruan ndihmën e tyre tre shtete. Pritet aktivizimi i dy avionëve nga Greqia, si vendi më afër vatrave të zjarrit.

Klan News