Situata nga zjarret në fshatin Grapsh të Bashkisë së Dropullit dhe në fshatin Kardhikaq të Bashkisë së Finiqit është përmirësuar pas angazhimit nga toka dhe nga ajri. Ministria e Mbrojtjes informon se për momentin nuk ka rrezik për banorët dhe banesat e këtyre fshatrave.

Megjithatë forcat operacionale të Dropullit, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Këlcyrës, Memaliajt, Finiqit, Sarandës, Himarës, Delvinës dhe Konispolit vijojnë punën për shuarjen e zjarrit, pasi rreziku për riaktivizimim e vatrave vijon ende si pasojë e ndryshimit të shpejtesisë së erës.

Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar vijojnë mbështetjen e tyre, ndërsa janë shtuar në këtë aksion edhe tre mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Situata po ndiqet nga afër edhe nga zv/ministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti.

Ndërkohë, Shqipëria ka kërkuar ndihmë për shuarjen e zjarreve edhe nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile, ku ofruan ndihmë 3 shtete. Njëra prej tyre, Greqia, pritet që të dërgojë 2 avionë zjarrfikës duke qenë se është vendi më pranë vatrave të zjarrit.

/tvklan.al