Qytetarët nuk e kanë humbur ritmin e protestave, duke shënuar sot (13 qershor) plot dy javë që nga nisja e tyre.

Sikurse ditët e tjera, fillimisht u mblodhën në sheshin ‘Skënderbej’, për t’u drejtuar Kryeministrisë, ku dhe mbahet gjithnjë qëndrimi i qytetarëve kundër projektit të Zvërnecit, por dhe nga ku kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë, Edi Rama. Më pas vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, itinerari i të cilit asnjë mbrëmje nuk ka qenë e njëjtë.

Nuk munguan as sot simbolet kombëtare dhe pankartat me kërkesat dhe pakënaqësitë e protestuesve ndaj qeverisë.

Por, ajo që u vu re mes turmës ishin “zyrtarë të arrestuar”, me zingjirë në duar dhe veshje portokalli që i përkasin burgut. Janë maskime këto nga të rinj, të cilët kanë zgjedhur këtë mënyrë protestimi, teksa përmes pankartave identifikohen si “Rama”, “Berisha”, apo dhe “Balluku”.

Gjithashtu u ndezën dhe flakadanë përgjatë marshimit të tyre në rrugët e Tiranës.

Një ditë më parë (12 qershor), qytetarët vendosën para Kryeministrisë një shkresë të përgatitur për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa sot zgjodhën një simbolikë të veçantë.

Para institucionit u vendosën këpucë të rreshtuara, për të përfaqësuar të gjithë ata qytetarë që janë detyruar të emigrojnë.

Një kërkesë të veçantë ka pasur nga ana e protestuesve për Prokurorinë e Posaçme, rikthimin në krye të saj të Altin Dumanit.

Një nga protestuesit u shpreh se Dumani duhet të marrë në dorë “frenat e SPAK-ut”, e të nisë arrestimet e politikanëve të korruptuar.

“A jeni dakord për rikthimin e Altin Dumanit, dhe një mandat, për të fituar misionin që kishte nisur, për arrestimin e kësaj klase politike të korruptuar. Altin Dumani, rikthehu, merr frenat e SPAK-ut dhe fillo arrestimet sa më parë. Ti ke besimin e popullit shqiptar sot”, tha një nga protestuesit.

Po kështu, ditën e sotme u zhvillua protestë në Rrjoll, duke hequr një pjesë të gardhit metalik të vendosur rreth zonës ku është planifikuar ndërtimi i një resorti. Diçka e tillë ishte paralajmëruar më herët, pasi banorë kanë deklaruar se do të veprohet si me Zvërnecin.  

Kërkesa kryesore e banorëve është pezullimi i ndërtimit, derisa çështja të zgjidhet në gjykatë.

Ndryshe nga Zvërneci, këtu ka një leje zhvillimi, pasi kompania thotë se e ka blerë tokën nga një pronar i ligjshëm. Pavarësisht kësaj, banorë të tjerë pretendojnë të kundërtën.

Më 9 qershor, një grup protestuesish dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një draft me propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Kujtojmë se këto protesta janë cilësuar prej të rinjve si “Revolucioni i Flamingove”. Flamingo u përzgjodh si simbol sepse përfaqëson drejtpërdrejtë ekosistemin e Lagunës së Nartës, por më pas u bë si shenjë dalluese e ngritjes të së rinjve të cilët shprehin pakënaqësitë ndaj çështjeve sociale, ekonomike dhe politike në vend përmes protestave.