Këtë të enjte, 11 qershor, u shënua protesta e 12-të e qytetarëve në Tiranë kundër “Zvërnecit”, mazhorancës dhe opozitës aktuale.
Fillimisht qytetarët u mblodhën tek sheshi ‘Skënderbej’, për t’u drejtuar tek Kryeministria, e më pas kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit. E gjithë protesta zgjati afro 6 orë.
“Edi Rama dorëhiqu”, “Shqipëria e re”, “Shqipëria nuk është në shitje”, “Kur studentët ngrihen, shteti dridhet”, ishin disa nga pankartat e sjellë nga protestuesit.
Në 12 ditë, protestat u dominuan nga të rinjtë, por nuk kanë munguar as fëmijët, që kanë bërë protestën paqësore dhe pa incidente.
Marrë parasysh që sot ishte dhe dita e parë e Botërorit, qytetarët bënë thirrjen “S’kena kohë për Botërorin”, si një mënyrë për t’i mbajtur më të bashkuar në shesh.
Disa qytetarë kanë mbajtur dhe fjalime nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Mes tyre ishte dhe gazetari Osman Stafa, i cili u ndal tek shëndetësia në vend.
Paralelisht me Tiranën, protestë u zhvillua dhe në qytetin e Korçës. Numri i pjesëmarrësve ishte relativisht më i ulët ndërsa thirrjet dhe fjalimet ishin të njëjta duke adresuar pakënaqësitë për qeverisjen aktuale.
Ashtu sikurse ditët e tjera, nuk kanë munguar as simbolet kombëtare në protestë.

Krahasuar me protestat e mëparshme, sot nuk pati flakadanë, por për herë të parë u hodhën fishekzjarre.

Më 9 qershor, një grup protestuesish dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një draft me propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Kujtojmë se këto protesta janë cilësuar prej të rinjve si “Revolucioni i Flamingove”. Flamingo u përzgjodh si simbol sepse përfaqëson drejtpërdrejtë ekosistemin e Lagunës së Nartës, por më pas u bë si shenjë dalluese e ngritjes të së rinjve të cilët shprehin pakënaqësitë ndaj çështjeve sociale, ekonomike dhe politike në vend përmes protestave.












Botërori 2026 
