Edhe këtë të premte, qytetarët dolën për të protestuar në kryeqytet kundër “Zvërnecit” dhe dorëheqjes së kryeministrit, Edi Rama, duke u bërë kështu demonstrata e 13-të.
Sikurse ditët e tjera, fillimisht u mblodhën në sheshin ‘Skënderbej’, u drejtuan tek Kryeministria, e më pas marshuan në rrugët e kryeqytetit për të përfunduar sërish tek sheshi.
Nuk kanë munguar simbolet kombëtare dhe pankartat në të cilat shkruheshin pakënaqësitë, por dhe që gjithashtu ishin të frymëzuara nga meme të ndryshme për të ironizuar situaten aktuale të politikës. Po kështu, në bulevard u valëviten dhe flamuj të SHBA-ve, ndoshta si një përgjigje për pretendimet se të rinjtë “ishin kundër amerikanëve”.

Protestuesit në mënyrë simbolike, kishin përgatitur një shkresë dorëheqjeje për kryeministrin Edi Rama, duke e lënë në shkallët e zyrës së tij. Ata u përpoqen që ta ngjisin më sipër, por nuk u lanë nga uniformat blu. Një shkresë e tillë, përforcon kërkesën e tyre për dorëheqjen e Ramës.

U shënuan disa momente tensioni mes turmës së protestuesve, për arsye të paqarta. Nuk dihet nëse janë përfshirë pjesëtarë nga mitingu i socialistëve, i cili u mbajt disa metra më larg protestës, por brenda pak minutave situata u qetësua.
Nga megafoni u bë thirrje që protestuesit të mos bien pre e provokimeve, duke vijuar më pas me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”.
“Ne nuk do biem pre e këtyre provokimeve. U bëj thirrje mos bini pre e provokimeve, le të vazhdojmë protestën”, u tha nga një prej protestuesve.
Si simbol i protestës paqesore, të pranishmit kënduan himbin kombëtar për unitet dhe si mesazh për të mos pasur përçarje.
Gjithashtu protesta u ndoq drejtpërdrejtë dhe nga agjencia e lajmeve Reuters.
Paralelisht, sot Partia Socialiste festoi 35-vjetorin e saj të themelimit dhe aktiviteti u zhvillua në sheshin “Italia”, por nuk pati incidente me protestuesit.
Më 9 qershor, një grup protestuesish dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një draft me propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Kujtojmë se këto protesta janë cilësuar prej të rinjve si “Revolucioni i Flamingove”. Flamingo u përzgjodh si simbol sepse përfaqëson drejtpërdrejtë ekosistemin e Lagunës së Nartës, por më pas u bë si shenjë dalluese e ngritjes të së rinjve të cilët shprehin pakënaqësitë ndaj çështjeve sociale, ekonomike dhe politike në vend përmes protestave.












Botërori 2026 
