Raportim Live

Donald Trump ndryshon mendim? Irani të luajë në Botëror

Donald Trump ka deklaruar se është dakord që Irani të marrë pjesë në ndeshjet e Botërorit, pas deklaratave të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Ai tha se nëse Infantino e ka vendosur, atëherë është në rregull që ekipi iranian të luajë.

Trump theksoi se ka marrëdhënie të mira me Infantino-n dhe tha se ai është fantastik.

Trump: Italia s’na ka ndihmuar, mund të tërheqim trupat amerikane atje

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është “e mundur” tërheqja e trupave amerikane edhe nga Italia, duke pretenduar se shteti europian nuk ka ofruar ndihmë në çështje të rëndësishme ndërkombëtare. Ai kritikoi gjithashtu Spanjën, duke e quajtur “shumë të dobët” në bashkëpunim.

Sipas tij, aleatët evropianë nuk po reagojnë mjaftueshëm shpejt, kur SHBA-të kërkojnë mbështetje. Trump tha se SHBA-të po ndihmojnë Evropën, përfshirë edhe luftën në Ukrainë, por nuk merr të njëjtin nivel mbështetjeje.

Ai shtoi gjithashtu se vendime të mëparshme financiare ndaj Ukrainës nga administrata Biden kanë ndikuar në zgjatjen e konfliktit. Trump theksoi se SHBA-të duhet të rishqyrtojë marrëdhëniet me aleatët e saj në NATO.

download app

Trump: S’jemi në luftë, por po zhvillojmë operacion ushtarak

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se situata aktuale nuk duhet të quhet luftë, por “operacion ushtarak”, duke theksuar se SHBA-të po ecën mire, pavarësisht tensioneve. Ai tha se Irani “dëshiron me patjetër një marrëveshje”, por sipas tij nuk duhet të ketë program bërthamor.

Trump pretendoi gjithashtu se infrastruktura ushtarake iraniane është dëmtuar rëndë, përfshirë flotën detare dhe forcat ajrore. Ai shtoi se edhe fabrikat e dronëve dhe raketave janë shkatërruar në një masë të madhe.

Liban/ 6 të vrarë në tjetër sulm ajror, 15 viktima gjatë ditës

Gjashtë persona janë vrarë në një sulm izraelit në fshatin Zebdine në Libanin jugor.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, numri total i viktimave nga sulmet në jug të vendit gjatë së enjtes ka arritur të paktën 15.

Agjencia shtetërore NNA raportoi se një dron izraelit goditi një grup njerëzish pranë varrezave të fshatit. Ngjarja ka rritur më tej tensionet në rajon dhe shqetësimet për përshkallëzim të konfliktit.

Alarmi në BE: Po pakësohen rezervat e karburantit për avionë, rrezik për fluturimet nëse kriza vazhdon

Rezervat komerciale të karburantit për avionë “po pakësohen për shkak të mbylljes së zgjatur të Ngushticës së Hormuzit”.

Edhe pse “tregu deri tani e ka menaxhuar tensionin e ofertës”, Brukseli “duhet të fillojë të përgatitet për pasojat e mundshme nëse situata zgjatet përtej fundit të majit”.

Përfundimet e grupeve të punës të ngritura pranë Komisionit Evropian rrisin nivelin e alarmit për sigurinë e fluturimeve në kontinent, pa ofruar për momentin zgjidhje… Lexo më shumë

“Ngushtica e Trumpit”, Irani reagon fuqishëm

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka reaguar ashpër pasi në rrjetin Truth u publikua një imazh, ku presidenti amerikan Donald Trump e quante Ngushticën e Hormuzit “Ngushtica e Trump”.

Ai tha se përdorimi i një emri të tillë është një “gabim i tmerrshëm”.

Sipas tij, Hormuzi është një emër historik dhe nuk mund të ndryshohet politikisht. Debati vjen në një kohë tensionesh të larta mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Çmimet e naftës arrijnë nivelin më të lartë që nga viti 2022

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm, duke arritur nivelin më të lartë që nga viti 2022, pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë opsione të reja ushtarake ndaj Iranit.

Sipas mediave ndërkombëtare, ushtria amerikane pritet të informojë presidentin Donald Trump mbi planet e mundshme për ndërhyrje, në një përpjekje për të zhbllokuar situatën e tensionuar me Teheranin.

Nafta Brent u rrit me afro 7%, duke kaluar përkohësisht mbi 126 dollarë për fuçi, përpara se të tërhiqej në rreth 114 dollarë gjatë së njëjtës ditë. Kjo luhatje lidhet pjesërisht edhe me skadimin e kontratave të tregtimit për muajin qershor… Lexo më shumë

Izraeli paralajmëron për veprime të reja ndaj Iranit

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi se vendi mund të detyrohet të veprojë sërish kundër Iranit, për të garantuar sigurinë.

Ai theksoi se Donald Trump, në koordinim me kryeministrin Benjamin Netanyahu, po udhëheq përpjekjet për të penguar Iranin të bëhet kërcënim.

Sipas Katz, Izraeli mbështet këto përpjekje dhe po ofron ndihmën e nevojshme. Megjithatë, ai paralajmëroi se mund të jetë e nevojshme ndërhyrje e re ushtarake në të ardhmen e afërt.

Mori pjesë në protesta, Irani ekzekuton atletin 21-vjeçar

Autoritetet iraniane kanë njoftuar ekzekutimin e Sasan Azadvar, një atlet karateje 21-vjeçar i arrestuar gjatë protestave të janarit.

Ai u akuzua për bashkëpunim me armikun dhe nxitje të dhunës me qëllim destabilizimin e sigurisë kombëtare. Azadvar mbahej në burgun e Dastgerd dhe kishte fituar kampionatin lokal të karatesë në Isfahan.

Sipas OKB-së, numri i ekzekutimeve në Iran është rritur ndjeshëm muajt e fundit.

Sulmet izraelite në Liban: 10 të vdekur e 58 të plagosur në 24 orët e fundit

Sulmet e fundit ajrore izraelite në Liban kanë shkaktuar 10 viktima dhe 58 të plagosur brenda 24 orëve të fundit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Bejrut, numri total i viktimave që nga fillimi i konfliktit më 2 mars ka arritur në 2,576 të vdekur dhe 8,020 të plagosur.

Situata mbetet e tensionuar, me përshkallëzim të vazhdueshëm të dhunës në rajon. Autoritetet shëndetësore po përballen me vështirësi në menaxhimin e numrit të lartë të të plagosurve.