Kjo e hënë, 29 qershor, shënon ditën e 30-të të protestës qytetare në Tiranë.

Një banderolë gjigante me mbishkrimin “Ju erdhi fundi, Shqipëria nuk është në shitje”, u bë objekt tensioni. Banderola ishte varur te pjesa e fasadës së Universitetit të Politeknikut, por që nuk u lejua nga ana e Policisë.

Banderola

Kështu, një pjesë e qytetarëve u futën brenda ambienteve të Universitetit, në tentativë për ta rivendosur. Ashtu ndodhi! Megjithatë, pas disa minutash ata e hoqën sepse për shkak të madhësisë së saj, nuk mundën ta rregullonin banderolën që të rrinte fiksuar në ballkonin e universitetit.

Me këngë e thirrjet për revolucion, vijon marshimi në rrugët e kryeqytetit.

“Lironi studentët”, është një tjetër thirrje në mesin e protestuesve, pasi sipas tyre policia private ka vënë në pranga disa prej tyre.

Pavarësisht temperaturave të larta, qytetarët kanë dalë çdo ditë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e më pas kanë marshuar nëpër rrugët e kryeqytetit.

Duhet theksuar se më 4 korrik është thirrur një protestë mbarëkombëtare, ku pritet të marrë pjesë edhe diaspora.