Për të 28-ën ditë me radhë, qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në protestë përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Me pankarta në duar dhe thirrje të vazhdueshme, ata përsëritën akuzat ndaj qeverisë për mënyrën e menaxhimit të pasurive publike dhe projektit në Zvërnec.
Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës nuk munguan akuzat e drejtpërdrejta ndaj kreut të qeverisë. Protestuesit deklaruan se vendimet e marra për territorin dhe pasuritë natyrore do të kenë pasoja afatgjata.
Sot, një nga protestuesit njoftoi hapin e radhës, që sipas tij do të jetë krijimi i një Kuvendi Kombëtar. Këtë ide ai e shtroi në foltoren e improvizuar dhe mori miratimin e turmës.
Mbështetje protestës i dha edhe eurodeputetja italiane Ilaria Salis, e cila mbërriti në Tiranë dhe iu bashkua tubimit përpara Kryeministrisë.
Në fjalën e saj, ajo deklaroi se Shqipëria dhe pasuritë e saj natyrore nuk duhet të trajtohen si mall për t’u shitur, ndërsa bëri thirrje për mbrojtjen e ishullit të Sazanit dhe Lagunës së Nartës.
Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ironia e protestuesve ndaj kryeministrit përmes personazhit virtual të qeverisë, “Diella”.
Në fasadën e Kryeministrisë u projektua një mesazh ku personazhi i krijuar me inteligjencë artificiale shprehej: “Për shkak të skandalit të Zvërnecit, deklaroj dorëheqjen time nga qeveria shqiptare. Radha juaj, kryeministër.”
Mesazhi u shoqërua me duartrokitje dhe brohoritje të protestuesve, të cilët në kor kërkuan edhe një herë dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa nga turma u dëgjua edhe thirrja: “Ramën e braktisi edhe Diella.”
Në përfundim të protestës, aktivistët ngjitën në murin pranë shkallëve të Kryeministrisë disa fletë me atë që ata i cilësuan si skandalet kryesore të qeverisë. Tubimi u mbyll pa incidente, ndërsa organizatorët paralajmëruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur në kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit.
/tvklan.al












Botërori 2026 