Miku i tij: Vuante nga një sëmundje e pashërueshme
Ky është Lear Kurti, i riu nga Tirana që ndërroi jetë mbrëmjen e së mërkurës gjatë shoqërimit nga policia. 32-vjeçari po lëvizte në afërsi të Spitalit të Traumës rreth orës 23:07, kur një patrullë e policisë i ka bërë shenjë për të ndaluar. Sapo efektivët i kanë kërkuar të paraqesë një mjet identifikimi, Lear Kurti ka tentuar të largohet me vrap. Menjëherë punonjësit e policisë i janë vënë në ndjekje.
“Pasi u ndalua në zonën e Don Boskos nga dy efektivët, i riu është shoqëruar në Komisariatin Nr.3, ku gjatë rrugës nuk është ndier mirë dhe vetëm pak minuta më vonë ka ndërruar jetë”.
Agjencia për Mbrojtjen Policore jep këtë version për ngjarjen.
“Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.’
Për ngjarjen ka dëshmuar përpara hetuesve dhe shoku i tij me iniciale Z.S i cili ka treguar se e la 32-vjeçarin në një dyqan për të rimbushur telefonin dhe do rikthehej sërish për ta marrë. Më tej ai ka shtuar se shoku tij vuan nga një sëmundje e pashërueshme, ndërsa ka rrëfyer se të njëjtën gjendje të rënduar shëndetësore e kishte kaluar para 2 javësh, dhe ka qenë pikërisht ai që e ka dërguar në spital.
Nga verifikimet e kryera i riu, Lear Kurti ishte në një proces gjyqësor në Gjykatën e Apel për falsifikim, teksa në Shkallën e Parë kishte fituar pafajësi. Ai rezulton të jetë shoqëruar disa herë në polici si përdorues i lëndëve narkotike.
Deri tani grupi hetimit, nuk ka administruar përgjigjen nga ekspertiza Mjeko-Ligjore, ndonëse paraprakisht mësohet se në trupin e 32-vjeçarit nuk ka patur shenja dhune. Gjithashtu nga prokuroria do kërkohet një kartelë shëndetësore e të riut për të parë nëse humbja e jetës ka ardhur si pasojë e një komplikacioni për shkaqe natyrale.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 