Përdorimi i lëndëve narkotike në Shqipëri ka pësuar rritje. Një anketë e komisionit europian nxjerr në pah se mbi 60 % e shqiptarëve thonë se përdorimi i drograve është kthyer në një problem në shoqërinë shqiptare.

Sipas anketës së Agjencisë së Bashkimit Evropian për Drograt, Shqipëria renditet e 5-ta për rritjen e përdorimit e drogës në vend krahasuar me 5 vite më parë.

Referuar anketës afro 80 % e shqiptarëve thonë se përdorimi i drograve është kthyer në një shqetësim për zonën ku ata jetojnë. Rritja e përdorimit të lëndëve narkotike pohohet edhe nga bluzat e bardha.

“Çdo vit që kalon ne regjistrojmë rritje të numrit të personave që përdorin substanca të ndryshme, të drograve ilegale. Rritje nuk është vetëm mosha e re por edhe tek adultët 30-40 vjeçar. Mosha që shtrojmë është mbi 20 vjeç”, tha toksikologia, Esmeralda Thoma.

Te përdoruesit e lëndëve narkotike mbizotëron kokaina.

“Kemi edhe përdorues që janë të heroinës, por mbizotëron kokaina. Kemi vlera të larta të relapsit që rikthehen“, tha Thoma.

Rreth 6 në 10 qytetarë në BE e konsiderojnë trafikimin dhe përdorimin e drogës si probleme serioze në zonën e tyre, dhe gati gjysma (49%) besojnë se trafikimi është rritur në pesë vitet e fundit.

Krahasuar me këto vlera, Shqipëria regjistron shifra dy herë më të larta.

/tvklan.al