Presidenti i Iranit: SHBA po ndjek një qasje “të pamundur”
Presidenti i Iranit, Pezeshkian, thotë se SHBA po mban një qëndrim kontradiktor sa i përket negociatave.
“Problemi ynë është se, nga njëra anë, Amerika po ndjek një politikë të presionit maksimal ndaj vendit tonë dhe, nga ana tjetër, pret që Irani të ulet në tryezën e negociatave dhe t’u nënshtrohet kërkesave të tyre njëanshme. Një ekuacion i tillë është i pamundur”, u citua të ketë thënë Pezeshkian nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.
Greqia hap hetim ndaj “Israel Katz” pas ankesës së Fondacionit Hind Rajab
Avokatë grekë janë paraqitur sot në gjykatë për të dhënë dëshmi dhe për të dorëzuar prova kundër Israel Katz, ministrit aktual të mbrojtjes së Izraelit.
Lëvizja vjen disa muaj pasi Fondacioni Hind Rajab, një organizatë që ndërmerr veprime ligjore ndaj personave të dyshuar për krime lufte në Gaza, depozitoi më 21 janar një ankesë zyrtare ndaj Katz përmes avokatëve në Greqi.
Në deklaratën e tij, Fondacioni Hind Rajab bëri të ditur se ankesa lidhet me vizitën e Katz në Greqi dhe ngre pretendime për përgjegjësinë e tij të mundshme sipas të drejtës ndërkombëtare.
“Paditësit pretendojnë se Katz mund të mbajë përgjegjësi, si pjesëmarrës dhe nxitës, për veprime që dyshohet se përbëjnë krime të rënda ndërkombëtare, përfshirë krime lufte, torturë, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, në lidhje me situatën në Gaza”, thuhet në deklaratë.
Fondacioni shton se një tjetër element që ka çuar në procedimin e çështjes në Greqi lidhet me një ankesë të mëparshme të paraqitur nga një anëtar i Flotiljes Global Sumud, sipas të cilit qytetarë grekë në bord janë ndaluar dhe mbajtur në mënyrë të paligjshme gjatë një incidenti në tetor të vitit të kaluar.
Ministri iranian i Naftës, Mohsen Paknejad, ka deklaruar se rindërtimi i infrastrukturës së dëmtuar të naftës gjatë luftës duhet të jetë një nga “prioritetet urgjente” të vendit, raporton Al Jazeera. Paknejad shton se prodhimi i naftës bruto nuk ka rënë gjatë luftës dhe se eksportet e naftës kanë qenë “të mira dhe të kënaqshme”.
Anijet nën paralajmërim të ashpër nga Irani
IRGC (Forca Detare e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) ka lëshuar një deklaratë duke paralajmëruar anijet që të mos kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit përmes rrugëve që nuk janë të autorizuara prej saj, duke thënë se do të përballen me një “përgjigje vendimtare”, raporton Al Jazeera.
“Ne paralajmërojmë të gjitha anijet që synojnë të kalojnë ngushticën se e vetmja rrugë e sigurt… është korridori i njoftuar më parë nga Irani”, thuhet në deklaratën e transmetuar nga agjencia iraniane Fars.
“Devijimi i anijeve drejt rrugëve të tjera është i pasigurt dhe do të përballet me një përgjigje vendimtare nga Forca Detare e IRGC-së.”
Sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit shkatërrojnë rrugë, dyqane dhe shtëpi
Avionët luftarakë izraelitë ndërmorën sulme ajrore këtë pasdite mbi Harouf në distriktin Nabatieh, në jug të Libanit, duke shkatërruar një shtëpi dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në të gjithë lagjen, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit.
Raportohet gjithashtu për një civil të plagosur.
Sulmet izraelite shënjestruan edhe një zonë pranë një jetimoreje në autostradën Choukin–Nabatieh, duke bombarduar rrugën dhe duke e bllokuar atë.
Sipas raportimeve, sulmet ajrore shkatërruan gjithashtu dhjetëra dyqane dhe apartamente. Sulmet izraelite goditën edhe qytetet Qaaqaait al-Jisr, Deir Kifa dhe Kfar Dounin.
Trump sulmon sërish Papa Leonin XIV: Po rrezikon katolikët për Iranin

Presidenti Donald Trump, ka shtuar retorikën ndaj Papa Leonit XIV, duke e akuzuar se “po rrezikon shumë katolikë” për shkak të qëndrimit të tij ndaj Iranit dhe armëve bërthamore.
Deklaratat e Trump vijnë vetëm dy ditë para një takimi të rëndësishëm në Vatikan mes sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, dhe Papës, një përpjekje për të ulur tensionet mes Uashingtonit dhe Selisë së Shenjtë.
Në një intervistë për moderatorin konservator Hugh Hewitt, Trump u shpreh se Papa “duket sikur mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore”, duke shtuar se kjo është “e rrezikshme për shumë njerëz”.
Megjithatë, Papa Leoni XIV nuk ka deklaruar kurrë se mbështet pajisjen e Iranit me armë bërthamore. Ai ka kundërshtuar vazhdimisht luftën dhe përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke bërë thirrje për armëpushim dhe dialog diplomatik.
Ambasadori amerikan në Vatikan, Brian Burch, deklaroi se pret një takim “të hapur dhe të sinqertë” mes Rubios dhe Papës në Pallatin Apostolik. Sipas tij, qëllimi është përmirësimi i mirëkuptimit mes dy palëve, pavarësisht dallimeve.
“Mosmarrëveshjet janë pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare, por zgjidhja vjen përmes dialogut të sinqertë”, tha Burch.
Përplasjet mes Trump dhe Papës nisën në prill, kur presidenti amerikan e quajti atë “të dobët” dhe kritikoi performancën e tij si udhëheqës i Kishës Katolike. Në të njëjtën periudhë, Trump publikoi edhe një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale ku paraqitej si Krishti, të cilin më pas e fshiu. (Lexo më shumë)
Macron: Do flas me presidentin iranian për uljen e tensioneve
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se së shpejti do të zhvillojë një bisedë me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, me kërkesë të këtij të fundit.
Macron theksoi se Franca kërkon ndalimin e armiqësive dhe rikthimin në negociata diplomatike.
Ai shtoi se hapja e Ngushticës së Hormuzit pa masa detyruese është thelbësore për stabilitetin rajonal. Sipas tij, çdo përshkallëzim ndaj anijeve tregtare vetëm sa rrit rrezikun e luftës.
Hegseth: SHBA-të nuk do të dërgojnë trupa në Iran për Hormuzin
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se SHBA-të nuk do të dërgojë trupa apo avionë në territorin e Iranit për të hapur Ngushticën e Hormuzit.
Ai theksoi se operacionet amerikane janë vetëm mbrojtëse dhe synojnë sigurimin e lundrimit tregtar.
Sipas tij, Uashingtoni nuk kërkon përshkallëzim të konfliktit me Iranin. Deklarata vjen mes tensioneve të vazhdueshme në këtë zonë strategjike.
Bomba e Trump: Nëse hyjmë në luftë me Iranin, e shkatërrojmë për 2-3 javë
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se, në rast përplasjeje ushtarake me Iranin, Shtetet e Bashkuara do të arrinin objektivat e tyre brenda 2–3 javësh.
Ai tha se një marrëveshje e mundshme ose një fitore ushtarake do të ishin të lehta për SHBA-të.
Lufta për naftën, si po përpiqet Gjiri të anashkalojë Hormuzin me plane miliardëshe dhe rrugë alternative

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur të përdorin kamionë për të eksportuar plehra kimike dhe po ëndërrojnë ndërtimin e një kanali drejt Detit të Omanit.
Arabia Saudite po rikthen në përdorim një tubacion të vjetër nafte të ndërtuar në vitet ’80, në kohën e luftës mes Republikës Islamike që sapo ishte krijuar dhe Saddam Hussein-it, për të transportuar naftën drejt porteve të Detit të Kuq, ndërsa po përshpejton edhe projektin hekurudhor Riad–Xheda.
Kuvajti, që nuk ka shitur asnjë fuçi nafte që nga fillimi i luftës, ende pret ndërtimin e hekurudhës së “Gjashtëshes”, mbi 2 mijë kilometra linjë që do të lidhë të gjitha vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
Lufta në Iran ka tronditur logjistikën mbi të cilën mbështeten ekonomitë e Gjirit dhe kryeqytetet po përpiqen të anashkalojnë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit duke rikthyer projekte të vjetra për tubacione nafte e gazi në tokë dhe duke zhvilluar korridore të reja. Megjithatë, kostot financiare dhe politike e bëjnë të vështirë gjetjen e zgjidhjeve të shpejta… Lexo më shumë












Botërori 2026 
