Identifikimi i viktimave pas analizave të ADN-së

Janë të shumtë familjarët e të plagosurve të aksidentit të tragjik të së martës në Bullgari që qëndrojnë në dyert e spitalit të Sofjes. Ata ankohen për mungesë informacioni për gjendjen e të afërmve të tyre.

“Nuk kemi kontakte, as me Ambasadën, as me askënd. U bëj thirrje që ky proces të përfundojë sa më shpejt, për shkak se sa më shumë presim, aq më vështirë e kemi”

“Kemi katër anëtarë të Familjes. Thonë se janë mirë. Jemi nga rrethina e Shkupit, por nuk na japin informata për natyrën e lëndimit”.

Në krahun tjetër mjekët thonë se 7 të mbijetuarit janë në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën, por do të duhet ndihmë psikologjike për shkak të traumës.

“6 prej tyre janë në Klinikën për Djegie dhe Kirurgji Plastike, ndërsa njëri në Traumatologji. Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme.

“Të gjithëve po u ofrohet ndihmë psikologjike. Në mënyrë të veçantë kanë nevojë për ndihmë ata që kanë humbur të afërmit e tyre”.

Ndërsa të afërmit e viktimave kërkojnë përshpejtim të identifikimit të 45 trupave të pajetë, por për këtë po kërkohet analiza e ADN-së.

“Vajza dhe dhëndri janë mes viktimave të aksidentit. Duhet të bëjmë analiza të ADN-së në Mjekësinë Ligjore. Djali i ka bërë në Shkup, kurse ne ende nuk i kemi bërë”.

Një përgjigje të qartë për këtë proces nuk ka mundur dot të japë as ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani që shkoi sërish në spitalin e Sofjes.

“Një pjesë e madhe e familjeve janë edhe miq të mi, të të njohurve të mi, sepse janë nga Shkupi, nga komuna nga vij unë. As atyre nuk mund t’ua konfirmoj emrat sepse duhet të bëhet identifikimi. Për këtë duhet që zyrtarisht të na informojnë institucionet bullgare”

Për identifikimin e viktimave kanë udhëtuar nga Shkupi në Sofje edhe 3 specialistë. Maqedonia e Veriut nisi sot 3 ditë zie kombëtare. Autoritetet e të dyja vendeve janë duke zhvilluar hetime edhe për shkaqet e aksidentit për të cilat nuk ka ende një njoftim zyrtar. 

Tv Klan

/tvklan.al