Rakacolli: Tendenca e shifrave ndër më të mirat në rajon

Tirana vijon të ketë raste të reja me koronavirus. 9 të infektuar nga 10 të identifikuar në 24 orët e fundit i përkasin kryeqytetit, ndërsa 1 është në Shkodër.

Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 10 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, shumica kontakte familjare, dhe 1 rast i ri është në Shkodër. Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 736 raste”, tha zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Duke ju referuar rasteve të shëruara deri më tani Ministria e Shëndetësisë vlerëson se vendi ynë ka situatën më të mirë në rajon.

“ Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 422 ose 57.3 % e totalit të të prekurve. Aktualisht në vendin tonë, 286 ose 42.7 % e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID-19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme”.

Në dy spitalet Covid numri i pacientëve që po trajtohen ka ardhur sërish në rënie. Aktualisht janë 34 të shtruar, disa prej tyre në terapi intensive.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 29 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 pacient është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 pacient është i intubuar”.

Që prej zbulimit të rastit të parë të prekur nga COVID-19, në vendin tonë janë shënuar 28 vdekje.

Tv Klan