11 viktima dhe 786 raste të reja në 24 orë

Vala e infektimeve me koronavirus nuk ka të ndalur në Shqipëri, duke shënuar një tjetër rekord në 24 orët e fundit. Nga 2592 testime të kryera, rezultuan pozitiv 786 persona, 75 më shumë sesa një ditë më parë.

Vatra më e nxehtë vijon te jetë Tirana me 379 raste të reja, e ndjekur nga Gjirokastra me 71, Shkodra me 35 dhe Fieri me 31 infektime ditore.

I lartë është edhe numri i fataliteteve gjatë 24 orëve të fundit. 11 paciente, nga qytete të ndryshme të vendit nuk mundën t’i bënin ballë infektimit me Sars – Cov2, duke e çuar në 657 numrin total të viktimave nga nisja e pandemisë.

Dy nga viktimat janë nga Shkodra, 2 nga Fieri ndërsa të tjerët i përkasin Vlorës, Kavajës, Krujës, Beratit, Lushnjes, Gramshit dhe Tiranës. Shqetësuese duket edhe situata në 3 spitalet Covid, pasi numri i pacientëve vijon të jetë në rritje. Aktualisht në këto struktura po trajtohen 424 pacientë, 11 në terapi intensive, nga të cilët 4 të intubuar.

Edhe pse një numër i ulët krahasuar me infektimet ditore, 349 qytetarë të tjerë ia kanë dalë të mundin koronavirusin. Vatrat shtrihen në çdo qark të vendit me një numër total prej 30 624 personash të infektuar, gjysma e të cilëvë është aktivë.

Tv Klan