Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi deklaron se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të miratohen urgjentisht dhe brenda këtij viti, për të mundësuar përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.

Në konferencën për mediat, Celibashi u bën thirrje partive politke që të përshtasin rregullat zgjedhore me ndryshimet e bëra në kuadër të reformës territoriale ku u shkrin 15 bashki.

“Këto ndryshime do të duhej të kishin shkuar bashkë me hartën territoriale. Nëse këto ndryshime shkojnë përtej fundit të këtij viti, jo vetëm nga pikëpamja praktike do të krijohet problem për KQZ-në, por mund të lindin edhe probleme të karakterit ligjor. Duhet të angazhohen në mënyrë urgjente për të adresuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor”, tha Celibashi.

Për shkak të reformës territoriale, Celibashi thotë se vëmendje e veçantë kërkohet për rishikimin e  mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë, kriteret për përcaktimin e numrit të tyre dhe përfaqësimi i njësive territoriale brenda bashkive të reja.

“Duhet të rishikohen dispozitat që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit, kriteret për përcaktimin e numrit, strukturën e përfaqësimit të njësive të ndryshme territoriale brenda një njësie vendore. Partitë politike duhet të angazhohen për të bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të adresuar ato kërkesa që lidhen me përfaqësimin”, tha Celibashi.

Për votimin elektronik Komisioni Qendror i Zgjedhje ndodhet përballë qëndrimeve të ndryshme nga forcat politike, pasi PS është pro, ndërsa PD e kundërshton me argumentin se manipulohet procesi.

Për këtë arsye, Celibashi tha se mazhoranca dhe opozita duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për shtrirjen e votimit elektronik në zgjedhjet e 9 majit.

“Ne kemi dashur dhe duam që kjo mënyrë të shtrihet sa më gjerë edhe në këto zgjedhje. PD është partia kryesore e opozitës dhe është fakt që s’mund ta injorojmë qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje. Shkaqet dhe pretendimet e PD-së në lidhje me sigurinë e këtij sistemi nuk qëndrojnë. Mazhoranca duhet të angazhohet në një komunikim me PD-në dhe partitë e tjera dhe do të ishte mirë të kishte konsensus”, tha Celibashi.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se zgjedhjet e 9 majit janë një test për Shqipërinë për të zhvilluar një proces në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

/tvklan.al