18 shtator 2026- Ish-i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Hill, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me proceset gjyqësore në Gjykatën Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke shprehur zhgënjimin e tij për vendimin e fundit të marrë nga kjo gjykatë.

Në një intervistë ekskluzive për Klan News, Hill u pyet nëse ekzistojnë realisht gjasat për shpërbërjen e kësaj gjykate, ndërsa tha se kësaj pyetjeje do duhet t’i japë përgjigje një ekspert i çështjes së të drejtës ndërkombëtare.

Ai theksoi se në këtë fazë është e rëndësishme që avokatët e mbrojtjes të planifikojnë hapat e ardhshëm të procesit.

Hill shtoi se shpreson që procesi të ecë përpara në mënyrë pozitive, ndërsa bëri të qartë qëndrimin e tij për vendimin e fundit.

“Jeni duke pyetur një diplomat për një pyetje ligjore dhe do ju kërkoja që të flisni më mirë me një jurist të  çështjeve të të drejtës ndërkombëtare. Përgjigjja ime është: Nuk e di, vërtet nuk e di. Ajo çka unë di, është nevoja për avokatët e palës mbrojtëse, që të planifikojnë hapat e tyre të radhës.

Unë di po ashtu se duhet të kemi një zgjidhje të kësaj situate, të cilën do e shikojmë si drejtësia, e cila do jetë në përputhje me faktet.

Shpresoj se kjo të ecë përpara në mënyrë pozitive dhe ashtu si njerëz të tjerë edhe unë jam shumë i zhgënjyer me vendimin e marrë nga Gjykata Speciale vitet e fundit.”, tha ai.

/tvklan.al